Gjilani ka marrë 3 pikët e radhës në transfertë ndaj Vushtrrisë, duke fituar me shifrat 1-3 dhe ka marrë në këtë mënyrë kreun e tabelës së bashku me Ballkanin. Por gjërat nuk kanë shkuar vetëm për mirë për Mezanin, pasi tre prej futbollistëve të tij kanë mbetur të dëmtuar, ndërsa një tjetër ka dalë nga loja pasi u ndëshkua me karton të kuq.
Kjo e ka lënë të pakënaqur edhe trajnerin Mezani, që shprehet se këto dëmtime janë shqetësuese për ekipin e Gjilanit, po aq sa bilanci i kartonave për lojtarët e tij. Mezani shprehet se arbitrat duhet të jenë më objektiv në moment të tilla, pasi kjo gjë është penalizuese për skuadrën e drejtuar prej tij.
“Sot më vjen mirë që fituam 3 pikë, këto pikë vlejnë shumë pasi i morëm në një fushë të vështirë. Lëndimet e lojtarëve tanë erdhën paksa nga terreni që ishte i vështirë. Neve na shqetëson lëndimi i treshes si dhe lojtari që mori karton të kuq, por ne do të vazhdojmë përpara. Ne kemi objektiva dhe na duhet të shohim përpara pasi që ka shumë pikë deri në fund.
Sot shkoi mirë, por Gjilani është skuadra më e dëmtuar për arsye të kartonëve, sepse në çdo ndeshje na janë dhënë shumë kartonë. Plot 48 kartonë të verdhë dhe dy të kuq janë bilanci ynë dhe gjyqtarët duhet ta shikojnë pak këtë dhe të jenë më objektiv sepse na janë dhënë shumë deri më tani”, ka thënë Mezani për “Supersport Kosova”./Sport Ekspres/