Menaxheri i Kosovës flet për Kamberin: Nuk na fliste fare për Shqipërinë, por nuk jemi “symbyllur”

Florian Kamberi do t’i bashkohet Shqipërisë dhe do të veshë fanellën e kuqezinjëve. Sulmuesi i Hibernian la të hapur mundësinë e kalimit te Zvicra, Kosova dhe njëkohësisht Shqipëria.

“Sporti në RTV Dukagjin” ka raportuar lajmin se ftesa ka ardhur nga Kombëtarja kuqezi dhe është pranuar. Ndërkohë, menaxheri i Kosovës, Bajram Shala, është surprizuar disi me këtë lajm. Sipas tij dhe nisur nga komunikimi direkt që ka pasur me vetë sulmuesin, Shqipëria nuk është përmendur si një opsion i mundshëm. Ndërkohë edhe në “Transfermarkt” shkruhet se Kamberi tashmë i përket kuqezinjve.

“Sa për të qenë korrekt me tifozët dhe opinionin. E kemi kontaktuar Kamberin dhe ka një vit e gjysmë që kam pasur kontakt direkt me Kamberin. Atëherë nuk ka qenë i gatshëm të luajë për Kosovën dhe ka kërkuar kohë të marrë vendimin. Në fakt, ka marrë shumë kohë për të arritur në një përfundim.

Kanë dalë disa spekulime në verë dhe ne e kishim lënë që pasi të merrte një vendim të na thoshte: “Kam vendosur për Kosovën” apo “Kam vendosur për Zvicrën”. Sepse në ato kohë ai i përmendte këto dy Kombëtare, por asnjëherë Shqipërinë. Tani nuk mund të tregohemi “symbyllur” dhe të themi që nuk kemi parë asnjë shkrim të mediave, por nuk e kemi marrë një përgjigje zyrtare”, ka thënë Shala. /Sport Ekspres/