Ashtu siç edhe pritej dhe u raportua në mëngjesin e sotëm, Qatip Osmani ka hedhur firmën për një aventurë të re. Bëhet fjalë për ish-trajnerin e Shkëndijës së Tetovës, që tashmë është pjesë e Shkupit.
Zyrtarizimi ka ardhur nga vetë klubi, me një marrëveshje që e mban lidhur deri në vitin 2021. Deri tani Shkupi e ka nisur më mbrapsht se të gjithë, ndërsa në 6 ndeshjet e para të këtij sezoni, ka ndërruar 2 trajnerë. Ardhja e Osmanit është emri i tretë në pankinën e Shkupit për këtë kampionat që sapo ka nisur, duke kërkuar që të përsëritet e njëjta histori e artë si me Shkëndijën. /Sport Ekspres/
Postimi i FC Shkupit:
FC Shkupi me kënaqësi komunikon arritjen e marrëveshjes me trajnerin e mirënjohur Qatip Osmani. Një prej trajnerëve më të trofeshëm në vend, merr drejtimin e skuadrës tonë dhe tashmë ka hedhur firmën në kontratë, e cila do ta mbajë lidhur me bardheblutë deri në vitin 2021.
Osmanin në këtë post vjen si zëvendësues i Bulent Akinit, ndërsa për ndihmës do të ketë Bashkim Livorekën.
Qatip Osmani është njohës shumë i mirë i futbollit vendor dhe praktikon më shumë lojë sulmuese. Ai sezonet e fundit ishte pjesë e Shkëndijës, me të cilët ne dy vitet e fundit fitoi dy tituj kampion dhe një trofe të Kupës. Ai gjatë karrierës së tij si trajner ka udhëhequr edhe ekipin e Renovës, ndërsa ka të fituar gjithësej tre tituj kampion, një trofe të Kupës dhe një Superkupë. Qatip Osmani është trajneri i tretë që ulet në stolin tonë në këtë sezon, pasi para tij kishim dy trajner turk Umit Karanin dhe Bulent Akinin.
Osmani debutimin e tij me skuadrën tonë do ta ketë të mërkurën (25.09.2019) në ndeshjen e Kupës me FK Sileksin, ndërsa në ndeshjen me Akademia Pandevin ekipi do të udhëhiqet nga Orhan Abdi.