Shumë skuadra të njohura europiane po sillen rrotull sulmuesit shqiptar Vedat Muriqi, pas nivelit që ky i fundit ka treguar në ekipin e njohur turk. Fenerbahçe e ka bërë të qartë se futbollisti është një pikë kyçe e projektit të klubit, por nëse shitet do të përpiqet të fitojë sa më shumë prej tij, duke i vendosur një çmim mjaft të lartë transferimit.
Por klubi i njohur turk nuk është i vetmi që dëshiron të mbushë arkat me shitjen e shqiptarit, pasi edhe ish ekipi i Muriqit, Rizespori, e kërkon një gjë të tillë. Vetë presidenti i Rizespor, Hasan Kartal, ka deklaruar se ekipi i tij do të përfitojë 15% të vlerës nëse Fenerbahçe shet sulmuesin në ekipet elitare në Europë. Sigurisht që nuk kanë munguar as fjalët e mira të Kartal për Muriqin, duke mos e fshehur krenarinë për këtë lojtar.
“Ai erdhi te ne dhe përfaqësoi Rizesporin në mënyrën më të mirë. Tani po djersin për suksesin e Fenerbahçes. E besoj se Vedati do të jetë i suksesshëm. Jemi shumë të lumtur të shohim ofertat që vijnë për të. Ashtu siç u përmend, nëse transferohet në Europë nga Fenerbahçe, atëherë klubi jonë do të përfitojë 15% nga shitja e tij. Kjo na bën të lumtur, por dëshira ime është që t’ia kujtojmë emrin te Fenerbahçe”, ka thënë Hasan Kartal.
Theksojmë se me çmimin aktual me vlerën 80-90 milionë euro, që i është vendosur Muriqit, Rizespor mund të përfitojë më tepër se vetë shifra që Fenerbahçe derdhi në arkat e tyre për të marrë shërbimet e sulmuesit shqiptar. Kjo e fundit nuk shkoi më tepër se 4 milionë euro./Sport Ekspres/