Historia e Shkupit është padyshim unike deri tani në trevat shqiptare. Në 6 ndeshje të kampionatit që sapo ka nisur, deri tani janë shkarkuar dy trajnerë.
Fillimisht për ta nisur me Umit Karani, i cili u largua nga skuadra pas tre ndeshjeve të para. Vendin e tij e mori Bulent Akin, por që nuk e kishte fatin për të vazhduar më gjatë, madje shkoi edhe më pak.
Një fitore e marrë ndaj Sileks me rezultatin 1-0 dhe një humbje ndaj Vardarit në shtëpi me shifrat 1-2, sollën edhe largimin e tij. Të paktën kjo u komunikua me një deklaratë të vetë trajnerit Akin në rrjetet sociale, pasi mungon deklarata zyrtare e Shkupit.
Sipas asaj që raporton “Infosport”, është mësuar edhe emri i trajnerit të ri në këtë ekip. Bëhet fjalë për njeriun që drejtoi në mënyrë të suksesshme Shkëndijën e Tetovës, Qatip Osmanin, por që së fundmi u largua për shkak të mungesës së rezultateve. Ajo që shpresohet është se këtë herë të flitet për një projekt të gjatë, pasi në të kundër të gjithën këtë situatë do e vuajë vetë Shkupi. /Sport Ekspres/