Edvin Murati, legjenda e Kombëtares, jeton në Paris dhe nuk mund të humbas ndeshjen mes Francës dhe Shqipërisë, ashtu siç ka bërë edhe në ndeshjen e djeshme mes Shpresave. Atje Franca U-21 do të fitonte me rezultatin 4-0 ndaj kuqezinjëve tanë, megjithëse rezultati nuk tregon saktësisht atë që pasqyroi loja.
Në këtë linjë mendimi është edhe Murati, që këshillon lojtarët e Kombëtares A, që të përsërisin lojën e U-21. Gjithashtu kjo figurë e njohur për tifozët shqiptarë, shprehet për “Supersport” se edhe vetë Deshampi nuk e di saktësisht kundërshtarin që do të dalë nesër në fushën e lojës.
“Francë-Shqipëri është gjithmonë një ndeshje e veçantë, pasi në karrierën time kam luajtur vetëm njëherë me Francën. Tani po luajmë çdo vit me ta. Lojtarët e Shqipërisë duhet të futen pa frikë dhe nervozizëm. Të luajnë në mënyrën e tyre që të rritet edhe imazhi ynë. Ne kundër tyre kemi bërë ndeshje të bukura. Deshampi ka thënë se Shqipëria na hap gjithmonë probleme. Ai tha se e njeh Shqipërinë, por unë them se ai nuk e njeh Shqipërinë. Kur nuk e njohim ne se kush do të futet nesër në fushë, do e njohë Deshampi? (Qesh).
Të jemi realist, Franca ka 4 ekipe që mund të zëvendësojnë dënjësisht. Shanset janë shumë të dobëta, por futbolli prandaj është i bukur. Nuk i dihet ndoshta një faull apo korne. Sa i përket rezultatit të Shpresave tona ndaj Francës, nuk ishte rezultati figura e ndeshjes. Dy golat e parë ua falëm. Shpresat më kanë pëlqyer dhe nëse djemtë e ekipit A e kanë parë lojën dje, të bëjnë të njëjtën gjë. Mbrojtja ishte kompakte dhe të provohen kundërsulmet”, ka thënë Murati. /Sport Ekspres/