Kuqezinjtë do të luajnë ndaj kampionëve të botës në mbrëmjen e nesërme, atje ku do të provojnë të marrin gjithçka munden. Ndaj Francës nuk do të jetë aspak e lehtë, pavarësisht mungesave të shumta që ka kjo Kombëtare.
Kapiteni në këtë përballje do të jetë Mërgim Mavraj, që në konferencën që po zhvillohet ende, është shprehur se Shqipëria nuk do të futet në fushë për t’i falur tre pikët kundërshtarit.
“E dimë të gjithë sesa e vështirë do të jetë nesër të fitojmë. Mungesat e tyre do të zëvendësohen me lojtarë të tjerë me cilësi të larta. Franca është edhe më mirë sesa atëherë kur unë kam shënuar. Ne kemi treguar se jemi në gjendje t’i krijojmë vështirësi të gjitha ekipeve.
Të gjithë e dimë se çfarë duhet që të japim për t’i krijuar vështirësi, po e përsëris. Nuk duhet të kryejmë gabime, pasi edhe me gabimin më të vogël, do të penalizohemi. Të dyja ndeshjet me Francën dhe Islandën do t’i luajmë për tre pikë. Unë nuk futem në fushë për të falur ndeshjen”, ka thënë Mavraj. /Sport Ekspres/