Prej kohësh qarkullojnë lajmet se PSG do të detyrohet të shesë një nga yjet e ekipit për shkak të FPF (fair-play financiar). Nejmar është më i mundshmi për t’u larguar, por presidenti i PSG mohon në mënyrë kategorike një gjë të tillë.
Braziliani pëlqehet shumë nga Reali i Madridit dhe Naser Al-Khelaifi ka një përgjigje për “Los Blancos” dhe të gjithë klubet e tjera që ëndërrojnë të sigurojnë shërbimet e brazilianit. Manjati i PSG konfirmon faktin që dyshja Nejmar-Mbape do të qëndrojnë gjatë në kryeqytetin francez dhe nuk sheh asnjë problem sa i përket FPF.
NEJMAR – “Reali i Madridit apo çdo klub tjetër në Europë nuk kanë nevojë për të na telefonuar për Nejmarin, ose çdo lojtar tjetër. Reali e di që braziliani nuk është në shitje dhe që nuk do të largohet në verë. Kemi një raport fantastik me të dhe babanë e tij. Po flasim për një futbollist dhe person të jashtëzakonshëm. Nejmar është një tip që sakrifikon dhe ka karakterin e duhur për të kaluar dëmtimin. Ai ka filluar rikuperimin e tij mes Barcelonës dhe Parisit, ndërsa tashmë ndodhet në Brazil. Ky është plani i hartuar që në fillim me mjekët e klubit.”
MBAPE – “Mbape tashmë është një legjendë e klubit tonë. Ai ka arritur shumë gjëra në moshën 20-vjeçare: është shpallur kampion bote, është një nga 5 lojtarët më të mirë në botë dhe kjo është diçka e jashtëzakonshme. Në Paris të gjithë e adhurojnë, është në shtëpinë e tij dhe e di që ka gjithçka për të shkruar historinë e PSG. Mbape dhe Nejmar do të qëndrojnë me ne jo 100%, por 200%. Sipas disa informatave të mediave franceze ne do të jemi të detyruar që të shesim një prej tyre, por unë ju konfirmoj që askush nuk do të largohet. FPF? Nuk na obligon në asnjë mënyrë që të privohemi nga yjet tanë.”