Besart Berisha e ka mbyllur në Australi si kampion, jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj. “Ju falënderoj të gjithëve që më mbështetet të arrij gjithë këto suksese. Faleminderit Australisë që më dha mundësinë të praktikoj sportin që dashuroj. Do të rikthehem një ditë, ndoshta si trajner, sepse kurrë nuk i dihet. Ose ndoshta do kthehem të jetoj këtu”, tha mes të tjerave dje sulmuesi shqiptar, i cili do të nisë një eksperiencë të re në Japoni.
Vendimin për t’u larguar e ka cilësuar të dhimbshëm, por të duhurin. Është 32 vjeç dhe ka nevojë për një sfidë të re pas shtatë sezonesh në Australi. Aty tifozët e kanë dashur shumë. U ka ofruar gëzime të shumta me golat e realizuar, por ndonjëherë edhe “përleshej”. Egoja e tij ishte e madhe për të fituar dhe në fushë ishte si një luan.
Në Australi golat e shënuar prej tij janë të shumtë. Ka mjaft që janë shumë të bukur, por te Melburn Viktori veçojnë një të shënuar këtë sezon në “play off”. Krosim në zonë dhe me roveshatë e dërgoi topin në rrjetë. “Një nga më të mirët për këtë klub. Faleminderit Bes”. Një përshëndetje e shkurtër dhe e përzemërt. Në Australi Besart Berisha padyshim është një legjendë!