Valon Berisha bëhet përforcimi i tretë i Lacios në merkato dhe shqiptari i dytë që afrohet pas Riza Durmishit.
Marrëveshja praktikisht është mbyllur dhe tashmë mbeten vetëm vizitat mjekësore dhe zyrtarizimi, këtë të shtunë.
Kapiteni i përfaqësueses së Kosovës u takua në Romë për afro tre orë me drejtorin sportiv të Lacios, Igli Tare.
Aty u përcaktuan detajet e fundit të marrëveshjes: kontratë 5-vjeçare, me pagë 1,3 milionë euro në sezon.
Për kartonin e mesfushorit me tipare sulmuese Lacio do të paguajë plot 7,5 milionë euro në arkat e Salcburgut.
Valon Berisha ishte protagonist absolut në ecurinë fantastike të austriakëve në Europa League, duke shënuar në portën e Borusias së Dortmundit dhe pikërisht në “Olimpiko” përballë Lacios.
Një “xhol” në fazën sulmuese, që shënon dhe jep asist dhe për nga karakteristikat ngjason më tepër me Milinkoviç-Saviç sesa me Parolon. Berisha është një yll i ri, gati të shkëlqejë nën urdhërat e Inzagit.