Tabarez: Ronaldo nuk na e prish gjumin. Dua futboll të shëmtuar, boll të fitojmë

24 orë para sfidës mes Uruguait e Portugalisë, Oskar Uashington Tabarez është në formë të shkëlqyer dhe nuk shqetësohet shumë as nga prania e Ronaldos në radhët e portugezëve: “Nuk na prishet gjumi nga Ronaldo. Dhe nuk do ta mbulojë Godin, do të jetë një punë kolektive”.

Edhe pse tashmë me paterica për një sëmundje serioze, trajneri i Uruguait nuk e humbet gjallërinë dhe dëshirën për të luftuar, ashtu si Uruguai i para shumë viteve, që triumfonte në Kupën e Botës.

“Në Botërorin ’54 Uruguai ishte shumë i fortë, por humbi në gjysmëfinale ndaj Hungarisë. Lexova një kronikë të një gazetari italian ku shkruhej se kapiteni i Hungarisë kishte thënë: ‘E humba plotësisht duelin me Skiafinon, por në fund fituam ne’. Kjo është logjika e futbollit. Nuk fiton gjithnjë më i forti. Ky Uruguai po kthehet ai i vjetri, luftarak dhe me lojë të mirë”.

Tabarez tregon edhe një anekdotë: “Bilardo me tha një herë: ‘Futbolli është prej kristali, mund të përgatitesh në mënyrë perfekte, por nëse sulmuesi bën sherr me gruan ose nuk ka fjetur për probleme të ndryshme, atëherë ndryshon gjithçka, nuk ke asgjë në dorë’. Megjithatë, nuk dua ta imagjinoj ndeshjen dhe mendoj se në fushë janë lojtarët ata që vendosin. Kemi vite që punojmë për këtë ëndërr, jemi pranë dhe e dimë çfarë duhet të bëjmë.

“A do jetë ndeshje e mërzitshme? Nuk e kuptoj këtë pyetje. Nëse ndeshja bëhet e mërzitshme dhe fitojmë, për mua është gjithçka perfekte”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *