Trajneri Elvis Plori ka thënë fjalët e para përballë lojtarëve, ndërkohë është rikthyer mesfushori lushnjar
Kastrioti ka zbritur dje në fushë, ku edhe ka nisur përgatitjet për sezonin e ri futbollistik. Në seancën e parë stërvitore nuk mund të mungonte as presidenti i skuadrës Alban Vogli, i cili së bashku me drejtorin teknik Gazmend Vogli, prezantuan përpara futbollistëve të gjithë stafin teknik me në krye trajnerin Elvis Plori. Ndihmësit e tij do të jenë Gëzim Rama dhe Shkëlzen Rustami. Tekniku shkodran mori fjalën para ekipit, duke bërë të ditura edhe kërkesat e tij bazë gjatë punës në krye të ekipit. Një pjesë e lojtarëve e njohin Plorin, pasi kanë bashkëpunuar me të në shkuarën.
PRURJET – Me përjashtim të portierit Klajdi Kuka, i cili ka kërkuar leje për disa ditë më tepër, pjesa tjetër e lojtarëve ishte e pranishme në seancën e parë stërvitore. Nën urdhrat e stafit teknik u vunë edhe ata futbollistë që nuk u është ofruar kontratë rinovimi, por mundësia e provës. Gjithashtu për t’u provuar kishin ardhur edhe disa futbollistë të tjerë nga ekipe të ndryshme.
Ata që binin në sy ishin Leonard Përgjoni dhe Erlind Koreshi që vinin nga Lushnja. Ky i fundit ka qenë pjesë e krutanëve për 18 muaj dhe për të është një rikthim. Mesfushori lushnjar sezonin e shkuar nuk u aktivizua te verdhejeshilët pasi pësoi një dëmtim dhe u operua. Vetëm në ndeshjen e fundit të kampionatit kundër Luftëtarit provoi të luante. Futbollisti 31-vjeçar ka eksperiencë të mjaftueshme në Superiore, teksa ka luajtur me Shkumbinin, Bylisin, Tiranën dhe Teutën.
Sa i takon Përgjinit, ai u aktivizua gjithashtu te Lushnja në pjesën e dytë të sezonit të shkuar. Më parë kishte qenë pjesë e Luftëtarit në Superiore, por nuk kishte hapësira. Mesfushori 22-vjeçar më parë ka luajtur edhe me Besëlidhjen, Mamurrasin dhe Shënkollin në Kategorinë e Parë. Fillimisht te Kastrioti pritet të zhvillohen seleksionime, ndërkohë që më pas do të ketë edhe afrime të rëndësishme, sikurse bëjnë me dije burime pranë klubit krutan.
Bujar Balliu