Belgjika zbavitet, Tunizia kthehet në shtëpi

Sa e lehtë, Belgjika bën atë që nuk po arrin ta bëjë asnjë favorite e madhe në këtë Botëror.

Një spektakël i vërtetë, Furitë e Kuqe janë të frikshme dhe pas fitores së lehtë ndaj Panamasë, sot e pati radhën Tunizia të provonte forcën e Lukaku me shokë.

Triumf 5-2, mund të shkonte 10-4 me rastet e shumta që krijuan dy skuadrat. Belgjika ka klas, ka sulmues goli si Lukaku, ka edhe dy yje si Hazard e De Brujne në mesfushë. Ndërkaq, Tunizia ka të drejtë të ankohet për penalltinë akorduar Belgjikës që në fillim, sepse faulli ishte mbi vijën anësore të zonës, por gjithsesi suksesi belg nuk diskutohet, edhe pse afrikanët treguan se dinë dhe duan të luajnë futboll.

Natyrisht, deri tani kanë qenë përballë dy rivalë të lehtë, ndërsa provat e vërteta nuk kanë ardhur ende, por Belgjika ka treguar se shënon me një lehtësi të pabesueshme, gjë që nuk e bën dot asnjë emër i madh këtë Botëror, kujtoni ndeshjet e Gjermanisë, Brazilit e të tjerëve.

Dy gola Lukaku, dy Hazard: për herë të fundit në një takim Botërori kishte ndodhur në Brazil-Gjermani, 1-7 që të shënon dy lojtarë nga dy gola. Lukaku është tashmë njeriu i rekordeve, sepse asnjë belg nuk ka shënuar sa ai në histori. Kristiano Ronaldo nuk është më i vetëm, pasi edhe sulmuesi belg ka 4 gola këtë Botëror.

BELGJIKË – TUNIZI       5-2

Shënues: Hazard 7′ pen., 51′, Lukaku 16′, 45’+3, Batshuaji  90′ / Bron 18′, Hazri  90’+3

90’+3 GOL TUNIZIA! Hazri shënon një gol ngushëllimi në fundin e shtesës.

90′ GOL BELGJIKA! Pas disa rastesh të lehta, Batshuaji e gjen golin e tij. Pesë për Belgjikën.

LUKAKU – I pari belg që shënon 4 gola në një Kupë Bote. I pari belg që shënon 7 gola mes Botërorit e Europianit. 5 gola në Botëror, sa Mark Uilmost.

62′ Edhe Karrasko i shkon pranë golit me një gjuajtje të bukur nga jashtë zone, por i pafat sulmuesi.

51′ GOL BELGJIKA! E kishte nisur në sulm Tunizia, por kështu Belgjika bën atë që di të bëjë më mirë, duke dalë shpejt në kundërsulm. Një top që nga mesfusha (De Brujne) gjen të vetmuar në sulm Hazard, i cili e ka shumë të lehtë të shënojë. Tre gjuajtje, dy gola sot për mesfushorin.

45’+3 GOL BELGJIKA! Kombinim fantastik mes Munier dhe Lukakut, sulmuesi del i vetëm me portierin dhe nuk gabon. Belgjika shkon me 2 gola avantazh në pushim dhe gjithçka e merituar, sepse sulmuesi belg është fenomenal. Tunizia e varfër nuk ka luajtur keq, por as fati nuk e ka ndihmuar, me dy dëmtime dhe një penallti të dyshimtë dhënë që në fillim Belgjikës.

40′ Sa e pafat Tunizia! Dëmtohet edhe Ben Jusef dhe del me barelë, duke u zëvendësuar.

35′ Vijon të luhet shumë hapur, Uitsel humbet një rast të mirë për Belgjikën.

30′ Belgjika sa herë shkon në zonën kundërshtare duket se mund të shënojë, por Tunizia është një ekip luftarak dhe nuk është shumë inferiore.

24′ I pafat Bron. Autori i golit tunizian dëmtohet rëndë dhe del me barelë, duke u zëvendësuar.

18′ GOL TUNIZIA! Spektakël në fushë. Tunizia e shkurton menjëherë, pasi Bron shënon me kokë, duke shfrytëzuar bukur një goditje dënimi ekzekutuar nga Hazri.

16′ GOL LUKAKU! Belgjika tani po zbavitet. Kundërsulm perfekt, Mertens nxjerr Lukakun në pozicion perfekt dhe sulmuesi shënon me një gjuajtje të fortë me të majtën.

14′ Tunizia proteston. Arbitri nuk sheh një faull afër zonës belge dhe duket se po favorizon Belgjikën, ashtu si në rastin e penalltisë së dyshimtë. Karton i verdhë për Sasin.

7′ GOL HAZARD. Me qetësi maksimale, mesfushori transformon penalltinë që fitoi vetë. Portieri tunizian nuk lëvizi fare.

6′ PENALLTI PËR BELGJIKËN! Realisht, faulli ishte mbi vijën anësore, por VAR konfirmon penalltinë.

5′ HAZARD RRËZOHET MBI VIJËN ANËSORE. PENALLTI, POR PRITET VAR.

1′ NIS NDESHJA

Në grupin G Belgjika ka shansin të sigurojë para kohe kualifikimin, sepse përballet me Tunizinë dhe në letër duket një ndeshje pa shumë histori.

Në fakt, në ndeshjen hapëse Tunizia rezistoi mirë deri në shtesë ndaj Anglisë, por duhet theksuar se anglezët humbën shumë raste, ndërkohë që Belgjika ka lojtarë të jashtëzakonshëm në aspektin ofensiv dhe nëse do ketë hapësira në fushë, mund ta kalojë lehtë pengesën tuniziane.

Ndonëse tre përballjet e fundit kanë përfunduar “poshtë” me gola, Belgjika është një ndër ekipet më sulmues të Botërorit dhe një gol i shpejtë do ta hapte krejtësisht ndeshjen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online