Trajneri i Brazilit e ka cilësuar vendimtare përballjen me Kosta Rikën dhe i ka dalë në krah Nejmarit dhe stilit të tij të lojës
Brazili e ka nisur jo mirë kampionatin botëror me një surprizë të vogël ndaj Zvicrës, duke mos shkuar më shumë se një barazim 1-1 mes polemikash. Pas barazimit kundër helvetëve, kombëtares së drejtuar nga Tite nuk i lejohet më asnjë gabim. Ndaj takimi i sotëm pasdite (14:00) merr një rëndësi të veçantë, kthehet në vendimtar për pesë herë kampionët e botës. Tite e ka shumë të qartë rëndësinë e këtij takimi dhe nuk ka harruar ta përmendë gjatë konferencën për shtyp nga qendra stërvitore e jeshilartëve. Tite ka kërkuar një përmirësim të lojës së ekipit dhe në veçanti në repartin e sulmit.
Rëndësia e takimit – “Tani futemi në një fazë shumë të rëndësishme, do të thoja vendimtare pas barazimit me Zvicrën. Ndaj përballja kundër Kosta Rikës merr rëndësi jetike për ne dhe ne jemi të vetëdijshëm. Duhet të tregohemi shumë më të kujdesshëm në mbrojtje dhe të jemi sa më efektiv në sulm” – ka thënë Tite. Më pas ai ka vijuar: “Ne duhet të fitojmë dhe të luajmë mirë në çdo ndeshje. Është e qartë se çfarë duhet të bëjmë: të jemi sa më rezultativë para porte. Ne krijojmë shumë, por do të ishte mirë nëse dërgonim në rrjetë ndonjë top më tepër. Sigurisht që duhet të përmirësohemi dhe në fazën mbrojtëse. Në përgjithësi jemi të kënaqur, i japim pak mundësi kundërshtarit, por siç e patë dhe vetë ne pësuam ndaj Zvicrës.”
Rëndësia e Nejmarit – Trajneri i Brazilit nuk i është shmangur pyetjeve tashmë rutinë në lidhje me Nejmarin. Ai ka konfirmuar se ylli i Paris SG-së do të jetë rregullisht në fushë, pasi nuk ka pasur ndonjë shqetësim serioz. Nejmar ka marrë një goditje në kavilje në takimin ndaj Zvicrës, por për fat nuk ka qenë shumë problematik si dëmtim. “Sigurisht që Nejmar e ka vuajtur pak faktin se nuk kishte luajtur për 90 minuta prej më shumë se tri muajsh. Por unë vazhdoj t’i besoj atij dhe ai do të jetë titullar edhe ndaj Kosta Rikës. Ai ka bërë hapa përpara në riaftësimin e vet” – ka thënë Tite. Trajneri i Brazilit ka mbrojtur numrin 10 dhe nga kritikat e ashpra pas takimit kundër Zvicrës. Nejmar është etiketuar si egoist dhe individualist në atë përballje duke dëmtuar Brazilin. Tite gjithsesi e sheh ndryshe: Të gjithë lojtarët janë të përgjegjshëm në veprimet e tyre individuale dhe kolektive. Nuk kam ndër mend ti kërkoj Nejmarit të ndryshojë karakteristikat e lojës së tij. Të gjithë i dimë karakteristikat më të mira të futbollistëve brazilianë, driblo e shëno dhe nuk kam ndër mend ti privoj lojtarët e mi nga ky stil.”
Formacioni thuajse nuk ndryshon Trajneri Tite ka konfirmuar se përballë Kosta Rikës sot pasdite do të bëjë një ndryshim nga ekipi që hodhi në fushë kundër Zvicrës në takimin e parë të Botërorit. Do të jetë i njëjtin formacion si ndaj Zvicrës, por në mbrojtje Fagner merr vendin e Danilos, i dëmtuar. Skuadra duhet të nxjerrë jashtë karakterin e saj në këtë përballje.
Mbështetja e publikut Publiku është shumë i rëndësishëm për ne. Na duhet mbështetja e tyre gjatë 90 minutave, sepse kundër Kosta Rikës është një ndeshje vendimtare për ecurinë e mëtejshme në kampionatin botëror.
Komentet mbi VAR – E kam dhënë opinionin tim mbi VAR dhe gjithçka është e qartë. Ne duhet të mendojmë për takimin e radhës. Çdo koment që do të bëja nuk do të ishte në ndihmë të ekipit dhe nuk do të doja të vija gjyqtarët nën presion. Por mund të them se ne nuk duam as të ndëshkohemi dhe as të përfitojmë nga përdorimi i VAR-it. Ne duam të fitojmë me djersën tonë në fushë.
Formacioni i mundshëm i Brazilit (4-1-4-1)
Alison
Fagner, T.Silva, Miranda, Marselo
Kasemiro
Paulinjo, Kutinjo, Uillian, Nejmar
Gabriel Zhezus
Formacioni mundshëm i Kosta Rikës (3-4-3)
Navas
Akosta, Gonzalez, Duarte
Amboa, Borges, Guzman, Kalvo
Ruiz, Urenja, Venegas