Në dhjetor 2016 Shangai Shenhua habiti botën, duke firmosur me Karlos Tevez për një shifër të pabesueshme, 650,000 sterlina në javë, rreth 32 milionë në vit, duke u bërë futbollisti më i paguar në botë.
Rreth një vit më vonë sulmuesi argjentinas i dha fund aventurës pa lavdi në Kinë, duke u kthyer në Argjentinë, te Boka Zhuniors. Zgjedhje zemre, Tevez prishi kontratën duke humbur miliona, por tani vetë sulmuesi zbulon një arsye të fortë që e nxiti të kthehej në Argjentinë.
“Vendosa të kthehem në shtëpi për të pasur shanse për të shkuar në Kupën e Botës. Ishte shansi im i fundit për të qenë në një Botëror, shpresoja se do i kisha shanset e mia, por u dëmtova dhe e kuptova që mori fund. Trupi nuk më përgjigjet me si në rini, riaftësimi ecën ngadalë. Nuk është tragjedi, edhe Ikardi nuk do shkojë në Botëror, kemi super lojtarë”.