Krutanët e nisën me “hov” sezonin e ri, teksa në një hark kohor të shkurtër kryen disa lëvizje, mirëpo prej disa ditësh po punohet në heshtje. Momentalisht nuk ka zhvillime, por po negociohet me disa futbollistë që janë ende në kontrata, ndaj krutanët nuk duan që t’i prishin punë vetes. Merkato ka nisur dhe ajo është e përqendruar kryesisht te elementët cilësorë, teksa po shikohen futbollistë brenda dhe jashtë vendit. Ata që nuk do të preken do të jenë boshti i skuadrës së sezonit të shkuar dhe pjesës dërmuese u është ofruar kontrata për rinovim.
DILEMAT – Nëse Marku, Kabiru, Husein, Mula dhe Xhafa janë me kontrata edhe për një sezon, si edhe gjashtë titullarëve të tjerë u janë ofruar kontratat e reja, krejt ndryshe është situata për lojtarët e tjerë që mbyllën sezonin me krutanët. Një pjesë e mirë e tyre nuk janë kontaktuar nga drejtuesit e skuadrës dhe nuk dihet fati i tyre. Nuk janë pak, por dhjetë futbollistë. Ata vazhdojnë të presin me ankth se çfarë do të ndodhë, pasi edhe pse u përfundon kontrata. Për momentin nuk ka një vendim nga klubi, çka do të thotë se janë të larguar. Gjithsesi të gjithë kërkojnë të dinë sa më shpejt se çfarë do të ndodhë me ardhmen e tyre. Në listën e lojtarëve janë emra si Rigers Hoxha, Skënder Lilaj dhe Albert Caca, që sezonin e shkuar janë aktivizuar në pjesën dërrmuese të ndeshjeve. Në listë ka edhe elementë të rinj, të cilët kanë pasur pak hapësira. Gjithsesi do të jetë trajneri Plori së bashku me drejtuesit që do të përcaktojnë listën finale të futbollistëve që do të veshin fanellën e Kastriotit për sezonin e ardhshëm. Emri më i bujshëm i lakuar për të veshur fanellën e krutanëve është ai i Marko Cetkoviç, ndërkohë që po tentohet të rikthehet edhe nigeriani Kehinde. Mesfushori ka lujtur në Qipron turke dhe do të ishte gati të rikthehej sërish në Superiore.
LISTA E FUTBOLLISTËVE QË JANË NË DYSHIM PËR TË QËNDRUAR
Lojtari Minuta Ndeshje
1.Erkand Spahija 0 0 (0)
2.Remzijon Keqi 295 7 (2)
3.Sokol Neziri 533 15 (4)
4.Rigers Hoxha 1980 24 (24)
5.Xhuljan Ndreu 34 2 (0)
6.Skënder Lilaj 1291 21 (14)
7.Denis Xhaferri 529 11 (3)
8.Albert Caca 1369 21 (14)
9.Endri Muçmata 47 2 (0)
10.Françesko Vogli 0 0 (0)