Në muajin mars Beshiktashi priste Bajernin në një ndeshje të Ligës së Kampioneve dhe një ndër gjërat më zbavitëse ishte futja në fushë e një maceje. Kafsha kureshtare vrapoi për një moment në fushë dhe bëri që të ndalej loja, por aq u desh që në faqen e Bajernin tifozët ta zgjidhnin Lojtari i Ndeshjes.
Megjithatë, UEFA nuk qenka zbavitur fare, sepse i ka vendosur një gjobë prej 34 mijë eurosh Beshiktashit, me justifikimin se masat organizative nuk ishin të mjaftueshme. Me sa duket, një gabim njerëzor i arbitrit është normal, por një mace që kalon rojet e sigurisë qenka një krim.
Gjoba përfshin edhe hedhje objektesh dhe bllokim shkallësh të stadiumit.
Komik është fakti se në ndeshjen Bajern Mynih-Real Madrid një tifoz u fut në fushë dhe një parullë e paligjshme u shfaq në tribuna, por për UEFA-n këto shkelje vlejnë vetëm 25.000 euro.
Edhe Roma është gjobitur me 7.000 euro për ndeshjen kundër Shahtar Doneck në Romë, pasi fëmijët që kapin topat vononin lojën.