Lajmi qarkullonte prej ditësh, edhe vetë Arlind Kalaja e kishte konfirmuar, por mungonte zyrtarizimi, që ka ardhur sot: shkodrani është zyrtarisht pjesë e Kukësit.
Klubi verilindor ka zyrtarizuar gjithçka me një komunikatë në faqen zyrtare: “Pas bisedimeve dhe arritjes së marrëveshjes, FK Kukësi ka nënshkruar me futbollistin Arlind Kalaja. Sulmuesi shkodran, që bën edhe rolin e mesfushorit, i bashkohet skuadrës për ndeshjet në kupat e Europës.
Kalaja, që më parë ka luajtur me Vllazninë, ka firmosur një kontratë dyvjeçare me FK Kukësin. I urojmë 22-vjeçarit mirëseardhjen tek ekipi ynë dhe suksese! FK Kukësi do të njoftojë ditë pas dite përforcimet e tjera”.
Është përforcimi i dytë te Kukësi, pas portierit Faton Maloku, ndërsa tani priten një sulmues i nivelit të lartë, por edhe një mbrojtës i majtë.