Presidenti i plotfuqishëm i Dinamos së Zagrebit, Zdravko Mamiç, është dënuar me 6,5 vite burg, vëllai i tij Zoran Mamiç me 4 vite e 11 muaj, Damir Vërbanoviç 3vite dhe Milan Pernar 4 vite e dy muaj.
Vendimi është komunikuar nga Gjykata e Osijekut dhe është marrë në lidhje me akuzat ndaj Mamiç për përvetësim të paligjshëm parash nga Dinamo e Zagrebit.
Ndër pikat kryesore të hetimit ishin transferimet e parregullta të Luka Modriç dhe Dejan Lovren, përkatësisht te Totenhemi dhe Lioni. Të dy lojtarët kishin firmosur kontrata të parregullta, ku paratë e shitjes së tyre kalonin në llogari të Zoran Mamiç, i cili më pas vetëm një pjesë të parave e kalonte në llogarinë e Dinamos.
Personat e dënuar janë shpallur fajtorë edhe për zhvatjen e 15 milionë eurove nga Dinamo e Zagrebit, duke i shkaktuar edhe një dëm prej 1.2 milionë eurosh shtetit, duke mos paguar taksat.
Zdravko Mamiç ishte larguar për në Bosnje-Hercegovinë (është prej andej me origjinë dhe ka pasaportë boshnjake) që dje dhe nuk do të kthehet në Kroaci, në pritje të verdiktit në apel. Nëse apeli lë në fuqi dënimin, Mamiç duhet të kthejë rreth 7 milionë euro dhe do t’i konfiskohen gjithë pronat.