10 kombëtaret më të shtrenjta në Botëror: Anglia qenka për titull, kushton më shumë se Gjermania

A e dinit që Anglia vlen më shumë se Gjermania në treg? Po që Belgjika vlen më shumë se Argjentina?
Sikur Botërori të luhej vetëm në kompjuter, me siguri do ishte shumë ndryshe nga verdiktet që jep fusha, por për fat shifrat nuk vlejnë kur në fushë zbresin 11 kundër 11.
Në bazë të shifrave të sitit të specializuar ‘transfermarkt.de’, është tashmë e ditur vlera në treg e gjithë ekipeve të Botërorit.

10. Në vendin e dhjetë është një ekip ballkanas, Kroacia, që në total vlen 341 milionë euro. Lojtari më i shtrenjtë është Ivan Rakitiç, 50 milionë euro, ndërsa Modriç vetëm 25 milionë euro. Natyrisht, vlera fiktive, sepse për t’i marrë Rakitiç Barcelonës nuk mjaftojnë as 150 milionë, ashtu si Modriç për Realin. Forca Kroacia, si ballkanas miq, jemi gati t’u japim edhe Hysen Memollën për të fituar Botërorin (Grezdën harrojeni)!


9. Befasi, Uruguai është një skuadër me vlerë goxha të lartë në treg, 368 milionë euro. Merita është kryesisht e dy emrave: Luis Suarez (70 milionë) dhe Edinson Kavanit (60). Realisht, të dy vlejnë shumë më tepër se kaq, por Transfermarkt kaq mendon se vlejnë. Ndoshta e dinë që herët a vonë Suarez do kafshojë ndonjë kundërshtar.


8. Portugalia vlen 468 milionë euro. Për të qenë të sinqertë, pa Kristiano Ronaldon në ekip, Portugalia nuk do vlente as sa gjysma e këtij çmimi, por nejse…


7. Kërcim gjigant përpara, Argjentina vlen 708 milionë euro në treg. Rreth 200 milionë kushton vetëm Mesi (ia futin kot, aq kushtojnë vetëm fotot e tij me dhitë). Të tjerët? Dibala, Aguero e Higuain kushtojnë të gjithë mbi 70 milionë. Jo rastësisht, Argjentina është mediokre në mesfushë e mbrojtje. Zgjidhja e Sampaolit? Topin te Mesi dhe Zoti na ndihmoftë!


6. Belgjika kushton 758 milionë euro! De Brujne e Hazard janë fenomenë, por kur sheh Lukakun që kushton 90 milionë euro, e kupton pse Belgjika nuk do e fitojë kurrë Botërorin. Meqë nuk mori Naingolanin në Botëror, Belgjika meriton të eliminohet që në grupe. Turp të kenë!


5. Gjermania, kampione bote, kushton vetëm 872 milionë. OK, hiq Kros e ndonjë tjetër, asnjëri nuk është fenomen, por në fund Gjermania është gjithnjë aty, në garë për trofeun. Këta dinë si fitohet trofeu, edhe sikur me çunat e lagjes të paraqiten.


4. Vendi i katërt për Anglinë. WHAT? Po, Anglia kushton 874 milionë euro në total! Po pse nuk ua japin Kupën e Botës pa luajtur? Ah, po, shihni listën: kur portieri Xhordan Pikford kushton 30 milionë euro dhe Fil Xhons 20 milionë, e kupton që në Angli nuk e kanë idenë çfarë bëjnë, thjesht kanë miliona pa fund dhe paguajnë. Jo më kot, Kupën e Botës e kanë fituar 200 vjet më parë për herë të fundit, ndërsa Champions League ua fali Bajerni për herë të fundit, për gjynah.


3. Eh, Brazili! Kushton 950 milionë euro kjo skuadër, goxha mirë, por a është kthyer Brazili i vërtetë? Në Botërorët e fundit ka zhgënjyer të gjithë (Gjermania u lodh shumë për ta mundur në Brazil 4 vitesh, ama). Tani është Nejmari, por jo vetëm ai. Skuadra braziliane është e mbushur me yje, ka një trajner shumë të zotin dhe ka ekuilibra në çdo repart (mos ia thoni Argjentinës, se nga depresioni do e lërë fare Botërorin).


2. Tani kalojmë miliardin. Spanja vlen 1,04 miliardë euro, një zot e di si, kur sheh që lojtari më i shtrenjtë është Buskets, 80 milionë euro (por ka nja 10 lojtarë si Buskets). Çudirat e merkatos, Jago Aspas vlen 25 milionë euro, Ramos vlen sa gjysma e Buskets, Iniesta vetëm 10 milionë euro dhe Pepe Reina 2 milionë!


1. Për ca qindarka më shumë, Franca ia kalon Spanjës dhe vlen 1.08 miliardë euro. Në letër Franca të merr në qafë: Mbape, Grizman e Pogba, për shembull, vlejnë 100-200 milionë secili. A janë favoritë për Kupën e Botës? Nuk jemi edhe aq të bindur.

JU ME KË JENI TIFOZ? Ne e kemi zgjedhur: jemi me Panamanë, kushton vetëm 9,4 milionë euro në total, aq sa harxhon Pol Pogba në muaj për modelet dhe bojën e flokëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *