Mishel Platini, legjendë e futbollit botëror, i cili në vitet e fundit është përmendur vetëm për gjyqe, akuza, kualifikime dhe helm. Një dekadë e pabesueshme për atë që ishte numri 1 i futbollit evropian dhe krejt papritur u kthye në armikun e futbollit, duke u pezulluar për shumë vite me akuzën se ishte i korruptuar. Kjo akuzë tashmë ka rënë poshtë, ndaj Platini rikthehet në sulm ndaj FIFA-s e UEFA-s, në një intervistë për Gazzetta dello Sport.
“Jam mirë, po zbuloj sërish jetën e një personi normal. Tashmë gjykatat kanë arritur në përfundimin që nuk kam bërë asgjë të paligjshme, që nuk kam vjedhur, nuk jam i korruptuar, nuk jam ai që thoshin palaçot e Komisionit të Etikës, ndaj ndihem i rilindur. Dhe do të kundërsulmoj. Kam përjetuar një makth që kur më akuzuan, kam kaluar nga një komision në tjetrin, i sigurt se isha i pafajshëm, por sërish më pezulluar, fillimisht 8, pastaj 6, 4 vite. Njerëzit e kuptuan se ishte gjithçka false, e paracaktuar. Gjithë ato idiotësira nga FIFA ndaj meje, kam marrë shuplaka pa fund”.
Platini nuk ndalet: “Kam parë fytyrën e zezë të futbollit. Nuk e prisja. Kisha hyrë në politikë për të ndihmuar në zhvillimin e futbollit, për të bërë që fëmijët të luanin futboll, jo për t’u mbrojtur. Nuk më plas as për UEFA-n e as për FIFA-n. Më erdhi shumë keq kur pashë si më shihnin ndryshe njerëzit dhe më shërbeu si mësim: mendoja se isha i rëndësishëm, nuk e kuptoja që jetoja në një botë false, që nuk është në kontakt me realitetin. Njerëzit nuk e vrasin mendjen për presidentët, ata duan vetëm Mesin, Ronaldon, Ibran, fillimin dhe fundin e ndeshjes”.
Platini ka qenë gjithnjë armik i teknologjisë në futboll: “Mbetem armik i moviolës, tani më shumë se kurrë. Ia kisha thënë Blaterit: ‘Po iu fute kësaj valleje, nuk i dihet fundi’. Loja ndalet për gjithçka, duhet të shohësh edhe gjëra pa rëndësi. Anësorët nuk do ta ngrenë më flamurin për asgjë. Problemi i vërtetë janë arbitrat e paaftë dhe puna e bërë me ta”.