Është një moment delikat për kombëtaren shqiptare, që në ndeshjet e fundit ka qenë një katastrofë totale, por kjo vjen edhe për faktin se jemi në një periudhë shumë të keqe për shumicën e futbollistëve tanë. Realiteti është se nuk e kemi më grupin e shkëlqyer që kishim para pak vitesh dhe prurjet në kombëtare janë të pakta, ndërsa të rinjtë e kanë të vështirë të bëhen menjëherë të rëndësishëm, në një ekip ku mungon shtylla kurrizore dhe nuk kemi më liderë, me trajnerin Panuçi që është ftohur me lojtarë si Mavraj, Roshi e disa të tjerë.
Kjo verë do të tregojë qartë sa shumë probleme kemi me lojtarët tanë, sepse shumica e lojtarëve veteranë në kombëtare janë në krizë për të ardhmen. Përjashtim bëjnë portierët, mbrojtësit Hysaj e Veseli e deri diku Gjimshiti, ndërsa emrat e tjerë që janë pjesë e kombëtares prej kohësh janë ende në ajër.
Mesfushori Migjen Basha ka luajtur rregullisht dhe ka qenë në formë të shkëlqyer, por e ka mbyllur me Barin, pasi i mbaron kontrata dhe nuk i është ofruar rinovim, në një sezon të mbyllur me dështim, në fushë dhe në aspektin administrativ, me penalizimin prej 2 pikësh në renditje për mospagesa taksash.