Trajneri korçar në provën e parë në Superiore. Zgjedh ekipin, ku ka luajtur dhe ka bërë hapin e madh, me synimin për ta ringritur në nivelet e mëparshme
Bledi Shkëmbi është zyrtarisht trajneri i ri i Teutës. Drejtuesit e klubit durrsak kanë vendosur t’i besojnë korçarit, i cili më parë ka shkëlqyer si futbollit me këtë skuadër. Lajmi është bërë i ditur nga faqja zyrtare e Teutës, ndërkohë që ka konfirmuar gjithçka për “Sport Ekspres” edhe vetë Shkëmbi, duke dhënë edhe një intervistë të shkurtër në lidhje me arsyet dhe objektivat që ka me skuadrën durrsake. “Sport Ekspres” shkruante më parë se ish-mesfushori i Skënderbeut ishte një dëshirë e madhe e presidenti Edmond Hasanbelliu, por bisedimet ishin të vështira. Pasi është njohur me projektin e sezonit të ri, që nuk është për një Teutë mbijetese, trajneri i ri ka marrë përsipër gjithçka. Pas përvojës së parë si trajner në krye të Lirisë së Prizrenit, që ishte e suksesshme, Shkëmbi synon që të vazhdojë në këtë rrugë edhe me Teutën, duke shpreson ta kthejë në nivelet e saj më të mira. Bashkë me trajnerin korçar, në stafin e Teutës do të jetë edhe përgatitësi atletik, Iris Selimi.
– Bledi, urime për detyrën e re!
– Faleminderit!
– Dikur lojtar, tani trajner i Teutës. Cilat janë arsyet që vendosët të drejtoni këtë skuadër?
– E para është se jam në hapat e parë të karrierës sime si trajner dhe dua të punoj pa shkëputje. Vij nga një sezon i mirë me Lirinë në Kosovë dhe tani vendosa të punoj te Teuta. E dyta është se kam luajtur për Teutën, madje kjo skuadër më ka dhënë mundësinë të bëj atë hapin e madh cilësor, duke më shërbyer si një trampolinë për të luajtur në skuadra të huaja, në Greqi, Kroaci apo Ukrainë. Pastaj, janë edhe marrëdhëniet shumë të mira që kam me presidentin Hasanbelliu që më bindën të zgjedh Teutën si skuadrën time të parë në Superiore për ta drejtuar nga stoli.
– Me çfarë objektivash uleni në stolin e Teutës dhe a ka pak risk për ju të merrni drejtimin e një ekipi që ka luftuar për mbijetesë sezonet e fundit?
– Po e nis nga fundi. Risku është gjithmonë pjesë e zanatit të trajnerit. Edhe kur shkova te Liria në Kosovë kishte risk, edhe këtu ka, por kam shumë besim se do të bëj punën time ashtu si duhet. Objektivi është që Teuta të kthehet një skuadër siç ka qenë më parë, kur unë luaja për të, një skuadër që të pretendojë vendet e para dhe Europën dhe jo të luftojë për mbijetesë.
– I keni diskutuar detajet me presidentin Hasanbelliu, keni marrë garanci për merkaton?
– Patjetër që kemi diskutuar për gjithçka. Unë mendoj se Teuta do të bazohet kryesisht te grupi i lojtarëve që kishte sezonin e fundit. Dua të them se shumë titullarë do të jenë pjesë e skuadrës, por natyrisht që do të bëjmë edhe përforcime për të rritur cilësinë. Për këtë pjesë do të shohim në vazhdim.
– Cilët do të jenë bashkëpunëtorët tuaj në staf?
– Do të jetë Iris Selimi, i cili në një farë mënyre është edhe krahu im i djathtë dhe do të jetë me mua kudo që do të punoj. Stafi do të jetë i imi, por të shohim për pjesëtarët e tjerë.
– A do të merrni ndonjë lojtar nga Liria, skuadra që drejtuat sezonin e fundit?
– Është shpejt për të folur, por them se do të ketë ndonjë lojtar të Lirisë, që do ta marr te Teuta.
– Po te Skënderbeu, nëse konfirmohet dënimi nga UEFA për Kupat e Europës?
– Unë uroj që Skënderbeu të marrë lajme pozitive nga UEFA dhe të luajë në Europë. Këtë e dua me gjithë zemër, pastaj nuk di çfarë të them. Dihet që të marrësh lojtarë nga Skënderbeu është e vështirë.