Shulku: Tirana-Muzaka e kanë arritur marrëveshjen

Olsi Avdiaj

Tirana dhe Gjergji Muzaka kanë arritur marrëveshjen. Ashtu siç është paralajmëruar nga “Sport Ekspres”, dje ishte sekretari i FSHF-së, Ilir Shulku që konfirmoi se Tirana dhe Gjergji Muzaka kishin arritur një marrëveshje për shlyerjen e borxhit 107 milionësh. “Çështja Muzaka? Në dijeninë time, e di që presidenti Halili dhe Muzaka kanë biseduar dhe kanë gjetur një marrëveshje. Do të jetë shumë e mirë po ta kenë arritur marrëveshjen. Shumën e borxhit do ta paguajnë me këste. Në raport me institucionin çdo gjë është në rregullt”, është shprehur sekretari i FSHF-së. Edhe presidenti Refik Halili, sipas moderatores Enkeleida Zeko pranoi se marrëveshja mes Tiranës dhe Muzakës është arritur. Shkulku në “Fair-Play” të “News 24”, foli edhe për shumë çështje të tjera që shqetësojnë futbollin shqiptar.

Për bilancin e sezonit – “Sezon pozitiv për disa arsye e fakte, ju e thatë që kur ka garë ka probleme, e ndaj quhet garë, por e përgjithshmja ishte pozitive pasi ekipet deri në fund ishin në garë për rënie dhe Europë, kishte garë nga fillimi deri në fund, ky ndoshta është viti i parë që shumë ndeshje janë fituar në transfertë. Në vitet e mëparshme kishte më pak, kjo tregon që është luajtur futboll i mirë, ku ekipet udhëtuese kanë marrë pikë. Shitja e lojtarëve si Guri e Abazaj tregon nivelin dhe cilësinë e kampionatit”.

Për rënien e Vllaznisë – “Kjo tregon që është kampionat më i bukur, më i fortë dhe ka pasur goxha garë. Është e rëndësishme që është bërë evidente që diferenca e ekipeve të mëdha me të voglën është ngushtuar. Ndaj edhe Vllaznia e Kamza që mund të binin, treguan që nuk ka më emra, por nivel loje e menaxhim skuadre. Ekipi i Vllaznisë, në limitet e fundit ra nga kategoria, është keq që ra, po ky është futbolli”.

Skënderbeu-Vllaznia – “E pashë ndeshjen vete. Ekipi i Vllaznisë më shumë se kurrë atë ndeshje duhej të arrinte rezultat dhe e arriti me lojën që zhvilloi. Përpos kësaj ishte Skënderbeu që në javët e fundit nuk aktivizoi futbollistët më të mirë, pasi kishte objektiv edhe Kupën e Republikës”.

Për dënimin e Skënderbeut – “Nuk është gjë pozitive, jo për Skënderbeun, por për këdo, pasi nuk është e mirë për imazhin e futbollit, për askënd, për të gjithë që konkurrojnë në Europë, ekipeve më emër. Sa dimë ne, dënimet e UEFA-s kanë qenë shumë pak herë për klube, por në shumë raste kanë qenë lojtarë e pjesëtarë stafesh dhe kjo është keqardhje që Skënderbeu u dënua vetëm si klub,  jo si individë”.

Dënimi i Flamurtarit – “Fusha e Flamurtarit është dënuar, për shkak të disa paralajmërimeve disa herë. I njëjtit standard është ndjekur edhe me klubet e tjera. Është dënuar fusha e Partizanit, Tiranës, Skënderbeut, etj. Ndiqet i njëjti standard. Për sa i përket gjykimeve është gjë tjetër. Është problemi i një drejtuesi klubi që ndoshta për të mbuluar gabimet, mundohet ta gjejë fajin diku tjetër”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *