Përvojë e veçantë, sukses personal dhe deri diku kolektiv, eksplorim në një treg të cilin për hir të së vërtetës nuk e njihte, përkundrazi e stepte disi. Portieri i Lirisë së Prizrenit Edvan Bakaj është gati për një aventurë të re.
Liria është një projekt që përfundoi që në momentin kur presidenti Çollaku u largua drejt federatës së Kosovës, por puna e mirë e bërë aty i jep mundësinë të shohë një mori me alternativa.
Drita, Gjilani, Feronikeli, madje dhe Shkupi. Të parët do luajnë në Champions dhe sigurisht që kjo është një joshje e madhe, në Gjilan ka premtime për një projekt ambicioz, Shkupi do luajë në Europa Ligë, ndërsa te Feronikeli do rigjente Starovën, një njohje të tij të vjetër. Dilemat janë të mëdha. Dy-tri thirrje edhe nga Shqipëria dhe një miqësi sportive shumë e mirë me ish trajnerit e tij në Prizren, Bledi Shkëmbin.
Çfarë do të ndodhë me të ardhmen? “Besoj se deri në 10 qershor do e kem bërë zgjidhjen time përfundimtare. E rëndësishme është të shkoj diku që të ketë një projekt të mirë, ashtu si ndodhi në Prizren, pavarësisht vështirësive që patëm në fund. Ishte një përvojë shumë e mirë. Trajneri është gjithnjë i rëndësishëm. Nëse nuk do ish për Shkëmbin projekti Liria nuk do ekzistonte”.
A është Kosova një treg kaq tërheqës? “Është një mundësi shumë e mirë. Rajoni po bëhet gjithnjë e më shumë një. Unë kam oferta dhe nga Maqedonia, nga klubet shqiptare atje. Në Kosovë më duan të paktën tre skuadra zyrtarisht, por nuk dua të nxitohem. Do shkoj diku ku pse jo dhe mund të fitoj trofe”.
Meqenëse është në Tiranë, një sy e ka dhe te Tirana. “Tirana është një vend i veçantë për mua, një shtëpi që e ka gjithnjë derën e hapur. Për momentin aty luan Lika, miku im, dhe unë sigurisht do tentoj të shkoj diku ku të luaj titullar. Por Tirana është e veçantë. Një ditë sigurisht do kthehem. Drejtuesit i kam shumë miq, ndërsa me presidentin kam pasur gjithnjë marrëdhënie shumë të mira”.
Bakaj në një udhëkryq: Ku do e shohim sezonin e ardhshëm?
Gjergji Stefa