Ish-trajneri i kombëtares shqiptare, Astrit Hafizi, në të shkuarën ka qenë kritik i ashpër i Xhani De Biazit, por me shumë gjasa është bërë pishman, duke parë katrahurën e Kristian Panuçit me kombëtaren. Humbje me Ukrainën, më keq se me Kosovën, me lojën që sa vjen e bëhet më e shëmtuar.
“Nuk e kam kuptuar fare çfarë ka ndërmend Panuçi, ishim më keq se në ndeshjen kundër Kosovës.
4 gola të pësuar? Nëse do vijojmë me eksperimente, ato morën fund. Sot u kthyem pas në kohë, si kemi luajtur shumë kohë përpara. Hysaj ishte i stërkonsumuar nga një sezon shumë i lodhshëm në Serinë A, nuk e kuptoj pse duhet të luajë gjithnjë Hysaj, kur kemi Likën apo të tjerë në stol. Pse kthehemi te Mavraj, kur e dimë kush është dhe nuk luan prej muajsh. Pse sërish Veseli, i cili në krahun e majtë vuan shumë? Pse sërish te Manaj, që e kemi parë dhe nuk luan prej kohësh në Spanjë?
“Ç’janë këto eksperimente? Kështu jemi kthyer shumë kohë pas, te lojtarë që i kemi pasur prej kohësh. Memolla nuk kishte arsye pse të futej në pjesën e dytë, kur Lenjanin e dimë kush është. Panuçi tha që është i qartë tashmë për kombëtaren, por kthehet pas në kohë, te skema 4-1-4-1. Në të shkuarën kemi qenë të shkëlqyer në fazën mbrojtëse, duke pritur gabimet e kundërshtarit për të përfituar. Tani me Panuçin ne mundohemi të luajmë në sulm: shumë mirë, por nëse nuk i ke idetë të qarta, është gjithçka e kotë. Kemi pësuar 7 gola në dy ndeshje, nuk ka justifikim, sepse mund ta kishte po të luante me 8 lojtarë të rinj, për t’i parë, por Berisha, Mavraj, Veseli, Lenjani, Hysaj e të tjerë e dimë kush janë.
“Largimi nga intervista? Diçka e pafalshme, duhej të jepte shkurt disa shpjegime për ndeshjen dhe vendimet e tij.
“Më shqetëson mesfusha, nuk kemi fantazi, nuk kemi fuqi për të shkuar përpara. Duhet të mbajmë topin në mesfushë, duke qetësi dhe pasime. Ne duhet të mendojmë të krijojmë lojë, sepse nuk e kemi pasur kurrë, shpesh në të shkuarën kemi fituar me fat, me një goditje, me mbrojtje hermetike. Kualifikimi në Euro 2016 nuk kishte ndonjë shkëlqim të jashtëzakonshëm, mos ta ekzagjerojmë”.