Pak minuta më parë përmes një postim në “Facebook” administratori i Vllaznisë Astrit Gjyrezi ka deklaruar dorëheqjen e tij nga posti që ai ka mbajtur deri më tani. Vetë Gjyrezi tregon periudhën që ka kaluar te Vllaznia dhe uron që skuadra të rikthehet sa më parë në Superiore.
Shkodranët po kalojnë një moment kritik, me skuadrën që ra nga kategoria dhe e ardhmja është e paqartë. Me shumë gjasa në kampin kuqeblu do të ketë revolucion dhe largimi i Gjyrezit do të pasohet nga largimi i disa lojtarëve.
“Pas dy vitesh e pak muajsh në krye të Klubit të Futbollit Vllaznia sh.a, kam vendosur të largohem nga posti i administratorit.
Por, para se të largohem, do të mundohem që shkurtimisht të paraqes para jush atë çfarë unë kam bërë gjatë kësaj periudhe në krye të klubit.
Jam emëruar në postin e administratorit të KF Vllaznia sh.a në janar të vitit 2016. E kam gjetur klubin me jo pak probleme financiare, por edhe administrative dhe puna e parë që kam bërë, ka qenë strukturimi i ri i klubit. Besoj se sot në këtë aspekt, KF Vllaznia funksionon shumë herë më mirë sesa ka qenë më parë. Në anën juridike dhe ekonomike kemi zbatuar të gjitha rekomandimet e lëna nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Padyshim që klubi gjatë gjithë kësaj periudhe është shoqëruar me probleme financiare, kryesisht edhe të viteve të mëparshme, të cilat shpeshherë kanë qenë duke na penalizuar edhe në ecurinë sportive, megjithatë ia kemi dalë t’i suportojmë me sukses në mënyrë që Vllaznia të mos e pësonte me zbritje pikësh.
Në aspektin sportiv, në postin e administratorit jam munduar që gjatë gjithë periudhës së punës time të lejoj autonominë e stafit teknik si specialistë të mirëfilltë të fushës. Në bashkëpunim me to, jam munduar gjithmonë t’ua plotësoj brenda mundësive që kemi pasur, të gjitha kushtet si për merkaton, fazat përgatitore, bazën materiale, grumbullimet, transportin, hotelerinë etj.
Falënderoj çdo tifoz që na mbështeti pa kushte ne çdo moment të vështire qe ekipi ishte. Gjithashtu uroj sa më shpejt rikthimin e Vllaznisë në elitën e futbollit shqiptar. Me respekt, Astrit Gjyrez.