Kapiteni i skuadrës vlonjate ikën për të mos u kthyer më. U komunikon shokëve largimin me një sms: Ju falënderoj të gjithëve për çfarë kemi kaluar!
Elton Nika
Tomisllav Bushiç largohet nga Flamurtari. Kapiteni i skuadrës vlonjate e ka marrë vendimin për të mbyllur gjithçka me kuqezinjtë pas dy sezonesh. Ndeshja me Kukësin, ku ai shënoi golin e parë të ndeshjes, ishte e fundit për sulmuesin kroat, i cili u ka bërë të ditur shokëve se nuk do të vazhdojë të jetë më pjesë e Flamurtarit me anë të një mesazhi, që ua ka dërguar të gjithëve në celular. Nga klubi vlonjat nuk ka ende asnjë lajm zyrtar në lidhje me kapitenin Bushiç, pasi sapo është mbyllur kampionati dhe ka kohë që të bëhet riorganizimi i skuadrës së sezonit të ri, por është vetë lojtari që e ka ndarë mendjen për t’i dhënë lamtumirën Flamurtarit.
MESAZHI Në celularët e gjithë lojtarëve të Flamurtarit ka shkuar dje një sms nga kapiteni Bushiç, i cili shkruante këto fjalë: Dua tju falënderoj të gjithëve për atë çfarë kemi bërë bashkë. Ju uroj suksese të gjithëve për më tej. Nga përmbajtja e mesazhit kuptohet qartë se kjo është lamtumira e sulmuesit kroat nga skuadra vlonjate. Ndoshta fakti që kampionati u mbyll në transfertën e Kukësit dhe lojtarët më pas janë shpërndarë, ka bërë që Bushiç të zgjedhë këtë mënyrë për tu përshëndetur me shokët e ekipit. Kroati ka mbajtur shiritin e kapitenit sezonin e fundit, pasi ishte një nga lojtarët me më shumë përvojë të Flamurtarit, por edhe për personalitetin që ka. Ai arriti të shënojë 8 gola me fanellën kuqezi këtë kampionat, ku në disa ndeshje ka munguar për shkak dëmtimi. Një sezon më parë, sulmuesi kroat shënoi 10 gola për Flamurtarin.
RINOVIMET Nga drejtuesit e Flamurtarit u tha pak kohë më parë se do të ruhet pjesa më e madhe e grupit që mbylli këtë kampionat, por në fakt dyshimet janë shtuar për qëndrimin e disa lojtarëve. Njëri prej tyre ishte edhe sulmuesi Bushiç, 32-vjeçari që ndoshta pritej të jepte më shumë për vlonjatët. Për momentin askush nuk mund të thotë se kush do të ikë dhe kush do të qëndrojë. I vetmi konfirmim, nëse mund të konsiderohet i tillë, është ai për sulmuesin Danilo Alvesh, me të cilin ka një akord mes palëve, por firma nuk është hedhur ende. Aktualisht, i sigurt duket fakti se rinovimet do të jenë më të pakta nga sa u menduan në fillim, disa javë para mbylljes së sezonit.