Gjesti unik i tre kapitenëve kundërshtarë: Lejoni Guerreron të luajë në Botëror!

Vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes historia e sulmuesit peruan Paolo Guerrero, i cili është pezulluar për doping dhe do të mungojë në Kupën e Botës.

Ish-sulmuesi i Bajernit u zbulua pozitiv për përdorim kokaine disa muaj më parë dhe u pezullua për një vit. Guerrero apeloi, duke pretenduar se nuk kishte dijeni për substancën e marrë dhe se ia kishin hedhur në çaj në hotelin ku qëndron kombëtarja peruane.

FIFA e uli dënimin me 6 muaj, duke bërë që Guerrero të kthehej në fushë para pak javësh, por ndërkohë WADA, Agjencia antidoping, e apeloi çështjen në CAS. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv i dha të drejtë WADA-s dhe e rriti dënimin në 14 juaj, që do të thotë se Guerrero nuk shkon në Botëror.

Një lajm tragjik për futbollistin, i cili nuk ka pasur ndonjë ndryshim në nivelin e paraqitjes fizike nga sasia e konsumuar e kokainës se zbuluar në kontrollin antidoping, ndërkohë që Peruja ka humbur liderin e vet.


Tani tre kapitenët kundërshtarë të Perusë në Botëror, të Francës, Australisë dhe Danimarkës (Hugo Loris, Majl Xhedinak dhe Simon Kjaer), i kanë shkruar një letër të hapur FIFA, ku i kërkojnë që ta pezullojë dënimin e kapitenit të Perusë, duke shkruar  se “Guerrero nuk ka bërë asgjë për të përfituar dhe për të rritur rendimentin e tij në fushë falë substancave të ndaluara. Në fundin e karrierës, nuk i duhet hequr mundësia ta mbyllë me dinjitet, në aktivitetin që përfaqëson kulmin e karrierës për çdo futbollist”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *