Sulmuesi brazilian Danilo Alvesh do të qëndrojë te Flamurtari. Një ndër lojtarët më të rëndësishëm për vlonjatët në sezonet e fundit, Alvesh është larguar për në Brazil ditë më parë, për shkak të një dëmtimi që i ka mbyllur sezonin, por ndërkohë përfundoi edhe kontratën në Vlorë.
Kjo bëri që për shërbimet e tij të nisnin të interesoheshin klube të tjera, përfshirë Kukësin, por Alvesh e bëri të qartë kur u nis për në Brazil se zgjedhja e parë mbetej Flamurtari.
Topi te Sinan Idrizi, i cili nuk e ka humbur entuziazmin dhe dëshirën për të pasur skuadër pretendente për majat e futbollit shqiptar. Për këtë arsye, rinovimi në Danilo Alvesh do të kryhet dhe Sport Ekspres mëson se është arritur që tani marrëveshja, me firmat që do të hidhen në fund të qershorit, kur Alvesh të vijë në Shqipëri.
Një lëvizje e zgjuar e Flamurtarit, që së pari duhet të ruajë shumë nga titullarët e këtij sezoni absurd, që deri në janar dukej perfekt. Me disa përforcime cilësore dhe me më shumë qetësi, në Vlorë mund të shkojnë shumë lart, edhe pse ende nuk është sqaruar çështja e trajnerit, ku nuk është çudi të konfirmohet Ardi Behari, i cili e njeh mirë skuadrën, ambientin dhe mentalitetin vlonjat.