Trajneri i Napolit është bindur për të qëndruar dhe një sezon tjetër në krye të nënkampionëve të Italisë. Sezonin e ardhshëm synohet titulli
Trajneri i Napolit, Mauricio Sarri ka kërkuar më shumë kohë për të marrë një vendim në lidhje me të ardhmen e tij. Por në Itali nuk kanë asnjë mëdyshje se tekniku i nënkampionëve të Italisë do t’i thotë po ofertës më të fundit nga presidenti Aurelio de Laurentis. Sipas “sportmediaset” Sarri do të firmosë deri në vitin 2021 me Napolin, nga ku do të përfitojë rreth 4 milionë euro në sezon plus shpërblimeve. Vendimtarë në këtë situatë janë bërë vetë tifozët e Napolit, të cilët janë afruar së tepërmi me trajnerin Sarri.
Po ashtu, Sarri ka të gjithë ekipin pas vetes, ku lojtarët më të rëndësishëm të ekipit – duke përfshirë këtu dhe mbrojtësin tonë Elseid Hysaj – kanë shprehur dëshirën e tyre që Sarri të vijojë në krye të të kaltërve. Tani pritet vetëm që Sarri të firmosë me Napolin për t’i dhënë fund njëherë e mirë debatit dhe për të shkuar i qetë me pushime përpara rikthimit në fushë për të nisur përgatitjet për sezonin e ri. Mediat në Itali flasin për një pakt mes tij dhe De Laurentis ku në mes është titulli kampion. Projekti i nisur tri sezone më parë ka parë Napolin t’i afrohet shumë titullit kampion. E nëse titulli nuk u arrit në këtë sezon, të gjithë shpresojnë ta bëjnë sezonin e ardhshëm.