FSHF: Auditohemi çdo vit, kontrolli nga Tatimet i motivuar politikisht

Lajmi i publikuar sot se Drejtoria e Tatimeve Tiranë ka kërkuar të ushtrojë kontroll në Federatën Shqiptare të Futbollit është konfirmuar sot nga qeveria e futbollit shqiptar. Me një deklaratë për shtyp, FSHF sqaron se është në rregull me ligjet, duke depozituar çdo informacion në organet tatimore, ndërkohë që Federata auditohet nga kompani ndërkombëtare, edhe për shkak se e tillë është kërkesa e UEFA-s, që është edhe “qeveria” që drejton FSHF-në. Kjo e fundit e cilëson kërkesën e ardhur nga një deputet i Kuvendit si të motivuar politikisht dhe e konsideron kërkesën si të paligjshme, ndaj paralajmëron betejë ligjore.

DEKLARATA E FEDERATËS SHQIPTARE TË FUTBOLLIT

FSHF njofton opinionin publik se nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve Tiranë ka ardhur një shkresë ku kërkohet kontroll në vend me objekt: Tërheqja e dokumentacionit të kërkuar sipas shkresës së ardhur nga Kuvendi i Shqipërisë, me Nr.Prot.551/2, datë 28.02.2018, ku kërkohet:

1. Lista e personave të kontraktuar nga FSHF nga viti 2010 deri në Janarin e vitit 2018.
2. Tatimi dhe burimi për të ardhurat nga pagat, shpërblimet, bonuset, honoraret për secilin, të ardhura të tatueshme deri në muajin Janar 2018.

FSHF bën me dije se ky informacion është i depozituar në organet tatimore në mënyrë të rregullt dhe në bazë të procedurave dhe ligjeve në fuqi. Në mbyllje të çdo viti pasqyrat finanaciare auditohen nga një kompani ndërkombëtare auditimi. Këto raporte janë të publikuara për të gjithë.
FSHF nuk ka asgjë për të fshehur, në raport me detyrimet ndaj buxhetit, dhe në respekt të ligjeve ne fuqi.
Por, FSHF konstaton me keqardhje që kjo kërkesë është e motivuar politikisht dhe në kundërshtim me procedurat normale të kontrollit tatimor.
Së pari, kërkesa nuk është bërë nga Kuvendi i Shqipërisë, por nga nje deputet i mazhorancës. Fatkeqësisht, kjo kërkesë është në tejkalim të Ligjit, saktësisht të Nenit 8 të statusit të Deputetit, në bazë të të cilit “deputeti ka të drejtë të kërkojë shpjegime për çdo çështje që ka të bëjë me përmbushjen e detyrës së tij nga përfaqësues të organeve shtetërore qëndrore, si dhe ato vendore. Por në fakt, në kërkesën e tij Deputeti i mazhorancës kërkon jo “ Shpjegime”, por një informacion për një palë të tretë, që është ndër të tjera edhe një OJF, në rastin konkret Federata Shqiptare e Futbollit.
Kjo është gjithashtu në shkelje flagrante me Ligjin Nr.9920, “Për procedurat tatimore” saktësisht në nenin 31 të ketij Ligji,i cili sanksionon konfidencialitetin e të dhënave.
Së dyti, në këtë rast organet tatimore shpërdorojnë detyrën, sepse kërkesa e Deputetit të mazhorancës është në bazë të Ligjit, që vetëm të kërkojë” shpjegime” dhe jo të iniciojë kontrolle në palë të treta. Organet tatimore i kanë informacionet e depozituara nga FSHF dhe janë të lirë të japin shpjegimet e tyre, sipas ligjeve në fuqi. Kërkesa për verifikim në vend nga organet tatimore është tej kërkesës së paarsyeshme ligjore të Deputetit të mazhorancës, ç’ka na bën të mendojmë se ka një prapavijë të pastër politike.
FSHF do të reagojë në mënyrë ligjore ndaj kësaj kërkese të paligjishme dhe garanton opinionin publik se kurdoherë ka respektuar detyrimet fiskale, në përputhje të plotë me ligjet në fuqi të shtetit shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *