Guri dhe Uzuni në sytë e skautëve, “i preferuari” Rrumbullaku penalizohet nga dëmtimi
Jurgen Zela
Kukësi dhe Laçi do të masin sot forcat në një nga ndeshjet më delikate të sezonit, me skuadrat që e lakmojnë Kupën maksimalisht. Pa ndeshjes së parë që ka mbaruar 0-0, takimi i sotëm pritet të jetë akoma dhe më i luftuar. Merkato e verës po afron dhe normalisht edhe skuadrat e huaj kanë nisur që të hedhin sytë edhe nga Shqipëria për ndonjë element cilësor, që mund të investohet për të. “Sport Ekspres” në numrin e djeshëm raportoi se në takimin mes Kukësit dhe Laçit do të ketë vëzhgues nga Turqia. Sot mësohen detaje të reja, pasi zbulohet emri i skuadrës që ka dërguar menaxherë, të cilët janë të interesuar jo vetëm për Uzunin, por edhe për dy futbollistë të Kukësit. Ankaragyçy, që ndodhet aktualisht në ligën e dytë turke, ka nisur të mendojë për skuadrën e edicionit të ardhshëm dhe në Shqipëri me sa duket ka gjetur parajsën e shumëkërkuar.
GURI DHE UZUNI
Sindrit Guri dhe Myrto Uzuni janë dy nga më të spikaturit te skuadrat e tyre. Në takimin e sotme të dy lojtarët do të kenë një motiv më shumë për të dhënë më të mirën nga vetja. Guri siç dihet është lojtari i momentit dhe ofertat për të janë të shumta. Cilësitë e tij mund të bindin turqit që të bëjnë një ofertë konkrete në drejtim të Kukësit, sidomos nëse klubi turk ngjitet në Superligë (aktualisht i treti në kampionat). Myrto Uzuni po ashtu ka tërhequr vëmendjen e drejtuesve turq të skuadrës Ankaragyçy, pasi mosha e tij premton shumë. Për të dy këto lojtarë ka interes dhe pritet performancë e tyre në ndeshjen e sotme, për t’i krijuar një ide më të qartë drejtuesve nga Turqi. Për të gjithë lojtarët që do jenë në fokus drejtuesit e skuadrës turke do të ulen në bisedime me drejtuesit e klubeve, pasi asnjëri nuk mund të largohet si i lirë.
RRUMBULLAKU
Lojtari tretë për të cilin kanë interes është Simo Rrumbullaku. Në fakt, mbrojtësi është i pafat, sepse nuk do të jetë në fushë e lojës për një problem fizik në ndeshjen e sotme. Skuadra e Ankaragyçyt ka treguar më shumë interes për mbrojtësin, por të deleguarit në këtë ndeshje nuk do e kenë mundësinë për ta parë në fushën e lojës. Mësohet se për Rrumbullakun ka pasur kontakt mes dy klubeve, për të diskutuar rreth një transferimi të mundshëm, me drejtorin Nderim Nexhipi që ka nisur negociatat.