Skënderbeu merr thuajse gjithë tortën, por ndonjë fetë i takon edhe Luftëtarit, Elbasanit, Partizanit dhe Dinamos
Anton Cicani
Transferimi i Abazajt te Anderlehti në Belgjikë do të pasurojë arkat e Skënderbeut, por rrjedhimisht edhe të Luftëtarit, që ka mbartur një pjesë të përqindjes së kartonit në rast rishitje nga skuadra korçare, diçka që ka ndodhur, edhe pse me bardhekuqtë, mesfushori nuk ka luajtur qoftë edhe 1 minutë, pasi u huazua në gjashtë muajt e mbetur të sezonit në Gjirokastër, edhe pse në janar firmosi për Skënderbeun.
E megjithatë, nuk janë të vetmet që kënaqen dhe fërkojnë duart, pasi para do të kalojnë edhe në llogaritë e tre skuadrave të tjera. Cilat? Ato që kanë ndikuar në rritjen dhe formimin e lojtarit, nga Dinamo dhe Partizani te Elbasani.
FIFA në dispozitat e saj, cakton se nëse një futbollist profesionist transferohet nga një klub te një tjetër, 5% i çdo kompensimi që i korrespondon klubit shitës (Skënderbeut) te klubi i destinacionit (Anderleht) duhet shpërndarë si kontribut solidariteti klubeve që kanë ndihmuar në rritjen dhe formimin e futbollistit gjatë viteve.
Në fakt, quhet kontribut solidariteti, që aplikohet për transferimet ndërkombëtare dhe llogarit numrin e viteve (21 vjeç) gjatë të cilave futbollisti është federuar për klubet në sezonet e përfshira mes moshës 12 deri në 23 vjeç.
Kontributi llogaritet kështu: nga 12 deri në 15 vjeç 0,25% e shumës totale të transferimit, ndërsa nga 16 te 23 vjeç 0,50% të shumës totale, deri sa mbërrihet te totali i 5%. i takon klubit të Anderlehtit që të derdhë kontributin në arkat e këtyre klubeve dhe jo më shumë se 30 ditë nga transferimi, ndërsa nëse pagesa është më këste, brenda 30 ditë nga data e pagesave të vetme.