Hasi dhe Shqipëria: Nuk e kam refuzuar Shqipërinë, ishte Anderlehti që vendosi

Besnik Hasi është parë shpesh si personazhi i vetëm që mund të bënte të gjithë në Shqipëri të binin dakord, nëse do të emërohej trajner i kombëtares. Ata që duan një trajner të huaj, do të ishin të kënaqur me një personazh që është rritur jashtë, ka drejtuar me sukses të madh Anderlehtin dhe ka fituar eksperiencë nëpër Europë. Atë që duan trajner shqiptar, më të mirë se Hasi nuk gjejnë dot, ta themi hapur.

Për Top-Channel, Hasi flet për kombëtaren, mundësinë e emërimit në stolin kuqezi që nuk u realizua jo për faj të tij dhe për aventurat në Poloni e Greqi.

“Ishin bisedime shumë pozitive me Presidentin e Federatës. Ishte një vendim shumë i vështirë, pasi isha shumë i lëkundur në atë moment. Doemos, kur vendi yt të bën një ofertë për të qenë trajner provon një krenari, një përgjegjësi. Në ato momente isha zv.trajner dhe nuk kisha përvojë si trajner i parë. Tek Anderlehti më respektonin shumë, qoftë si klub, qoftë presidenti. Nga ana tjetër kisha edhe respektin e Presidentit të Federatës, Armand Duka. Ishte një vendim shumë i vështirë. I pata thënë edhe Presidentit Duka se ishte një vendim që nuk mund ta merrja vetëm, pasi duhej të konsultohesha edhe me presidentin e Anderlehtit, pasi i detyrohesha shumë. Ai sigurisht nuk më la e më tha ‘duhet të rrish këtu’, ndaj dhe kur e mora atë vendim ishte shumë e vështirë. Edhe më e vështirë ishte që t’ia thosha këtë Presidentit Duka. Ai më kishte dhënë shumë besim dhe më kishte lënë kohën në dispozicion për të vendosur”, shprehet Besnik Hasi.

Pak muaj më pas, në vitin 2014, Hasi merrte postin e trajnerit të Anderlehtit: “Mbaj mend fjalët e presidentit të Anderlehtit, Roger Vanden Stock, kur më vendosi si trajner. Më tha: Besnik, të kam si fëmijën tim, sepse ke kaq vite në këtë klub. Por si trajner i parë, ti e kupton që ditët i ke të numëruara! Po e di – i thashë, – do të vijë një ditë që do të largohesha. I thashë gjithashtu se, më mirë sesa atje unë nuk kisha ku të gjeja, pasi isha si në shtëpinë time. Jetoja vetëm 5 km larg stadiumit”, tregon Hasi.

Dy vitet e suksesshme me Anderlechtin, ku fitoi kampionatin dhe kupën, e rritën nivelin e kërkesave ndaj Besnik Hasit.

“Vendimi për të shkuar te Legia ndoshta ishte një revoltë, sa më shpejt. Kisha oferta shumë të mira që i mbylla veshët, që të mos shkoja. Nuk e di, isha në luftë me vetveten dhe mora një nga vendimet me më pak mundësi. Gjithë shokët dhe familjarët e mi më thanë se bëra dy zgjedhje në vendet ku urrejnë shqiptarët. Më pas erdhi vendimi për tek Olimpiakosi i Pireut, sepse e konsiderova një skuadër shumë të madhe. Doja që të shkoja e të bëja një rezultat të mirë. Por, fati u kthye në drejtim tjetër aty. Ndoshta ka qenë edhe më e vështirë sepse kam qenë shqiptar, ndoshta, por unë nuk e mendoj ashtu, sepse nuk ia lejoj vetes ta mendoj ashtu. Unë jam shqiptar, edhe pse kam pasaportë belge, sepse mua në Belgjikë më njohin për shqiptar. Unë nuk mund ta mohoj që jam shqiptar. Unë jam njeri së pari dhe së dyti jam shqiptar dhe krenohem me atë që jam. Fëmijët e mi kanë lindur në Belgjikë dhe flasin gjuhën shqipe, madje me dialekt të Gjakovës, sepse janë mësuar në shtëpi. Dëshpërimi është që nuk vazhdova më tutje dhe në imazhin tim më kanë dëmtuar këto dy klube”, shprehet Hasi.

Ka pasur edhe oferta joshëse: “Ka qenë një moment kur isha trajner tek Anderlechti dhe kam folur me disa njerëz nga Fiorentina, por asnjëherë nuk u bë konkrete. Por për mua ishte shenjë respekti”, thotë Hasi.

E ardhmja te Shqipëria? “Në futboll asnjëherë nuk është momenti ideal. Sot jam pa punë dhe pa klub dhe Federata Shqiptare e ka trajnerin. Mbase kur Shqipëria të mos ketë trajner unë do të kem një klub, por dëshira është e madhe dhe as nuk e mohoj dot dhe askush tjetër që ka luajtur edhe për Kombëtaren, që ka dëshirë të drejtojë Kombëtaren. Shpresoj që një ditë do të jetë rasti im të jem trajner i Kombëtares. Kosova? Nuk e di a kam qenë në listën e tyre, por unë s’kam pasur asnjë kontakt me asnjë nga Federata e Kosovës, apo nga ndonjë që punon për Federatën e Kosovës”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *