Portieri i bardhezinjve i intervistuar nga “Iene” nuk e ka harruar ende penalltinë e minutës së 93-të në Madrid
Të gjitha ata që e njohin, presin një ndjesë nga kapiteni i Juventusit, Xhanluixhi Bufon për deklaratat e rënda të tij në adresë të gjyqtarit Majkëll Oliver pas ndeshjes mes Realit të Madridit dhe Juventusit në Champions. Pior Bufon nuk ka ndryshuar mendim edhe pse kanë kaluar katër ditë nga eliminimi në Madrid. Në një intervistë të dhënë për emisionin “Le Iene”, Bufon nuk ka bërë asnjë hap pas, asnjë shenjë pendese, ndonëse ka deklaruar se tani do të përdorte një fjalor më civil. “Nuk duhet të rregulloj asgjë, sepse unë si shumë të tjerë janë një qenie njerëzore, që kam pasione, emocione, nervozizëm, gjen mënyra të ndryshme për të shprehur mendimin tim, të gabuara apo të drejta qofshin. Ndonjëherë janë të tepruara, por unë ky jam”- ka thënë Bufon.
Ndjenjat – “Kur kam thënë ato fjalë ndeshja kishte mbaruar prej më shumë se një ore. Ndaj gjithçka kam thënë, ndonëse ishin fjalë disi të rënda, ishin mendime me një logjikë brenda. Të them të drejtën edhe tani që jam më i qetë do t’i kisha thënë sërish, por në mënyrë disi më civile. Në ato momente është e pamundur t’i kërkosh kujtdo që ka luajtur futboll në karrierën e tij që të ruajë qetësinë. E përmend, do t’i kthehesha përsëri fjalëve të mia dhe do t’i përsërisja, ndoshta në mënyrë më të kulturuar”
Shumë i ri – Bufon ka vijuar dhe më tej, duke deklaruar se ndoshta mosha e re e gjyqtarit ka bërë që ai të gabojë në rastin e penalltisë në minutën e 93-të. “Majkëll Oliver do të bëjë karrierë, por ka qenë i pafat në atë moment. Sipas meje kanë caktuar nj gjyqtar shumë të ri, pa shumë eksperiencë për të drejtuar një ndeshje kaq të rëndësishme.”
Asnjë pendesë – “Thënë të gjitha këto nuk kam asnjë pishman, nuk kam ndonjë pendesë. Por ka mbaruar gjithçka. Mund të kishim shkruar një faqe në historinë e futbollit të Juventusit dhe të Italisë. Fitorja jonë do të kishte qenë e njëjtë me atë të Romës ndaj Barcelonës, diçka e pabesueshme, e çmendur.”
Penalltia – “Ajo ishte një situatë që një gjyqtar më i zgjuar, me më shumë eksperiencë do ta kishte zgjidhur ndryshe. 20 sekonda nga fundi i ndeshjes nuk mund të marrësh një vendin e të thuash se ashtu e gjykova. Nuk mund të them nëse ishte apo jo penallti, por di të them se ishte një rast i diskutueshëm. Ndaj në situata të tilla një gjyqtar bën të tjera vlerësime. Unë duhet të mbroja shokët e mi, edhe në mënyrë disi të ndryshme, sepse kështu e ndiej. Ishte veprimi i duhur edhe me koston e madhe për të njollosur karrierën time”.