Ajo që shihej me frikë verën e shkuar tashmë është realitet: Ulvërhemptoni, shkurt Ulvs (Ujqërit) është ngjitur në Premier Ligë dhe klubet angleze të elitës po shqetësohen. Që sezonin aktual Ulvërhemptoni u vendos nën akuzë për faktin se grupi që ka blerë klubin, Fosun International, është në bashkëpunim të ngushtë me agjentin e famshëm Zhorzh Mendesh, i cili ka 20% të aksioneve të klubit.
Kjo bëri që verën e shkuar te Ulvs të shkonin disa lojtarë mjaft cilësorë, por me çmime jo reale, ndërkohë që Mendesh zotëron shumë futbollistë në Portugali dhe akuzohet se kontrollon Porton e Benfikën, ndaj është e qartë që verën e ardhshme mund të afrojë shumë emra të njohur me kosto minimale, ose të fshehur.
Kjo ka bërë që klubet e Premier Ligës të kërkojnë një takim urgjent, sipas Daily Telegraph, për të qartësuar situatën, pasi një klub me pronar një agjent të fuqishëm natyrshëm ka avantazhe të mëdha në treg.
Kohët e fundit edhe klube të Championship-it kanë protestuar dhe kanë kërkuar hetim, pasi niveli i shpenzimeve dhe pagave te Ulvërhemptoni mund të ketë kaluar limitet e vendosura nga Federata Angleze.