Trajneri i ekipit korçar u ka kërkuar të tijve maksimumin për të mbyllur një kampionat super deri në fund
Leonard Trebicka
“Nuk kemi nënvlerësuar asnjë skuadër deri tani dhe nuk kemi ndërmend të nënvlerësojmë deri në fund. Kemi bërë mirë dhe e tregojnë pikët që kemi grumbulluar. Dua nga ju që të jeni të përqendruar vetëm te ndeshja me Vllazninë, ku do të kërkojmë patjetër trepikëshin”, – u është drejtuar trajneri Ilir Daja futbollistëve para se të nisnin përgatitjet për Vllazninë në qytetin bregdetar të Durrësit. Gjatë javës që shkoi ekipi mori ngarkesë të lartë, me dy seanca në ditë, pasi ishte koha e mjaftueshme. Këto ditë ngarkesa do të ulet disi dhe do të vazhdohet me një seancë stërvitore. Meraku i trajnerit Daja është që Skënderbeu të mos e ulë ritmin në 10 javët e fundit të kampionatit. Sipas trajnerit Daja, skuadra duhet të ketë të njëjtin impenjim, edhe pse është e shkëputur nga vendi i dytë. Po ashtu, fakti që korçarët synojnë edhe Kupën e Shqipërisë, e bën të parin e stafit teknik që ta mbajë grupin e futbollistëve të karikuar. Analiza e djeshme ishte e para për këtë javë, pasi në ditët në vazhdim do të ketë disa të tilla.
DAJA – Mesditën e djeshme, përpara fillimit të stërvitjes, trajneri Ilir Daja ka mbledhur në një takim të tijtë, duke zhvilluar një analizë të shkurtër. Mes të tjerash, trajneri Daja u ka thënë të tijve: “Kemi lënë pas javën me ngarkesë të lartë, ku patët kohë edhe të çlodhemi disi, por edhe të stërviteni me intensitet. Pavarësisht disa mungesave, jam i kënaqur me atë që keni dhënë deri tani, por nga ky koment duhet të futeni të gjithë në ritmin e ndeshjeve që kemi lënë, kur u ndërpre kampionati. Dua të shikoj nga të gjithë të njëjtin preokupim, sepse kampionati ende nuk ka përfunduar dhe ende nuk e kemi siguruar titullin kampion. Nuk dua asnjë nënvlerësim për ndeshjen e radhës, të bëjmë atë që kemi bërë deri tani. Duhet të kemi në mendje se duhet ta sigurojmë sa më parë titull kampionin. Të mos e quajmë veten kampionë përpara kohe, sepse do të gabonim shumë, nëse do ta bënim një gjë të tillë. Edhe në Shkodër do të shkojmë për fitore.”
TAKAJ – Ndërkohë që trajneri Ilir Daja, stafi i tij dhe lojtarët kanë filluar përgatitjet, në Durrës kanë gjetur edhe presidentin Ardjan Takaj. “Bosi” i Skënderbeut këtë javë do të jetë thuajse në çdo seancë pranë të tijve, ndërkohë që vazhdon heshtja për mediet nga ana e tij. Presidenti Takaj është duke u marrë me punët e tjera të Skënderbeut, konkretisht me mbrojtjen në UEFA. Sigurisht që ai po e pret me ankth vendimin, që pritet të dalë nga dita në ditë. Për mediet sportive Takaj ka muaj të tërë që nuk flet. Ai beson shumë se Skënderbeu do të dalë i pastër në “luftën” me UEFA-n. Pritet që gjatë ditëve në vazhdim Takaj të zhvillojë një takim me grupin e lojtarëve për të folur për kampionatin dhe këtë çështje.
KUPA – Trajneri Daja dhe drejtuesit e Skënderbeut nuk janë duke menduar vetëm për Vllazninë, ndeshjen e fundjavës në kampionat, por edhe për Kupën e Shqipërisë. Në gjysmëfinale i pret një duel i fortë me Flamurtarin. Skënderbeu e do patjetër trofeun e kupës dhe i ka shanset të fitojë, pasi në kampionat është i shkëputur dhe pritet ta sigurojë titullin disa javë para fundit. Menjëherë pas Vllaznisë, juglindorët do të kthehen në shtëpi për të përgatitur Flamurtarin. Në Shkodër është e sigurt që Skënderbeu do të japë më të mirën, por duke e menaxhuar situatën para ndeshjes së kupës me vlonjatët.