Norvegjia e shekullit të ri ka qenë mediokre. Pas viteve ’90, ku u regjistruan suksese të mëdha, të vetmet në historinë e futbollit të kombëtares skandinave, vitet 2000 prodhuan një errësirë totale. Asnjë kualifikim në kompeticione madhe, vetëm në Euro 2008 pati sinjale shprese, me 7 fitore në 12 ndeshje në grup, por që nuk sollën kualifikim. Vitet e fundit kanë qenë depresive, aq sa kombëtarja është bërë shpesh edhe objekt humori në Norvegji. Fitorja e javës së shkuar kundër Australisë u ndoq nga vetëm 5200 tifozë, në një stadium me më shumë se 20 mijë vende: shenjë e qartë se populli norvegjez nuk beson më te kombëtarja e vet, ose më saktë nuk besonte.
Pas ndeshjes së mbrëmshme shumë gjëra kanë ndryshuar, sepse Norvegjia fitoi sërish dhe mbi të gjitha prodhoi lojë, ajo lojë që ëndërrojmë ta shohim nga Shqipëria e Panuçit, ose nga gjithë Shqipëritë tona, sepse të jemi të sinqertë, nuk jemi një kombëtare që e kemi në gjen lojën e bukur. Jemi ndeshur disa herë në të shkuarën me Norvegjinë, por asnjëherë nuk e kishim parë kështu: meritë e Lars Lagerbak, trajnerit suedez 69-vjeçar, i cili prej vitit 1990 punon vetëm në nivel kombëtaresh, me 19 vite të shpenzuara mes Suedisë U-21 dhe asaj A, që sukseset më të mëdha i ka pasur pikërisht në vitet 90-2000. Në vitet 2011-2016 Lagerbak drejtoi Islandën, me një projekt fantastik, që i korri frytet në Euro 2016 dhe me kualifikimin në Kupën e Botës 2018. Prej vitit të shkuar Lagerbak mori drejtimin e Norvegjisë, sepse me Islandën e kishte kryer misionin, ndërsa tani po ndërton gjithçka nga e para në vendin tjetër skandinav.
Lojë e shpejtë, ritëm i plartë, presing konstant, teknikë e shkëlqyer, disa lojtarë U-21, mosha mesatare e skuadrës poshtë 24 vjeç, asnjë top i gjatë si në kohërat e Tore Andre Flosë: Norvegjia dje na dha një leksion, ose më saktë na e dha Lagerbak, i cili edhe ndërrimet nuk i bëri kot apo nga halli, sepse një rezervë na shënoi golin vendimtar, ndërsa pas ndeshjes Tarik Eljunusi tha: “Lagerbak na ka bërë lavazh truri”.
Trajneri suedez i kënaqur: Paraqitje super dhe fitore, ashtu si doja
I qetë, me pamjen e një personi që ka parë gjithçka në jetën e vet, Lars Lagerbak nuk mund të fluturonte dje, sepse fundja fitoi një miqësore pa ndonjë vlerë të madhe. Përveç kësaj, është skandinav, ata nuk festojnë lehtësisht. Duke folur pas sfidës kundër Shqipërisë, Lagerbak i gëzohet paraqitjes së skuadrës së tij: “Mendoj se ishte një paraqitje bindëse. Mund të shënonim më shumë gola, por të paktën fituam”. Për Lagerbak vlen shumë fakti që u arrit fitore ndaj një rivali të nivelit të lartë: “Shqipëria ishte në Europian, ndërsa Norvegjia ka shumë vite që nuk shkon. Është vetëm një miqësore, të mos fluturojmë kot, sepse ndeshjet zyrtare shpesh janë shumë më ndryshe, por në dy ndeshjet e fundit kemi luajtur futboll të mirë dhe skuadra ka krijuar imazhin e vet”. Munguan disa sulmues të rëndësishëm, si King e Kamara: “Por ata që luajtën ndaj Shqipërisë ishin perfektë. Humbëm raste, por nuk mund t’i shënosh të gjitha, edhe portieri shqiptar ishte në formë të shkëlqyer. Odegard? Lojtar me të dhëna fantastike, bëri gjithçka si kërkova”.