Portieri i Flamurtarin ka shumë besim se do të rikthehen të jenë ai ekip i pjesës së parë të sezonit. “Kupa? Të mendojmë për sfidat e kampionatit njëherë”
Elton Nika
Adis Nurkoviç starton përgatitjet për Flamurtarin. Portieri që ka munguar prej gati tre javësh pret një nisje të re me skuadrën në këto 10 ndeshje të fundit, por edhe në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Portieri ka kryer përgatitje normalisht dhe pritet të jetë në fushë duke nisur nga sfida me Kukësin. “Hyjmë në një moment shumë të rëndësishëm të sezonit, kur kanë mbetur 10 ndeshje në kampionat, por edhe Kupa. Do rikthehemi skuadra që të gjithë duam, skuadra e pjesës së parë të sezonit. Kam lënë pas një dëmtim që më penalizoi, duke më lanë jashtë skuadrës, por tashmë jam rikthyer për të qenë gati dhe dhënë maksimumin për skuadrën, ashtu si edhe të gjithë lojtarët. Jemi të vetëdijshëm se na pret një fund sezoni mjaft i rëndësishëm dhe ne duam të marrim më të mirën, si në kampionat, ashtu edhe në Kupën e Shqipërisë”, ka thënë fillimisht portieri boshnjak i vlonjatëve
SHORTI – Portieri i Flamurtarit, kur pyetet në lidhje me shortin e Kupës së Shqipërisë, pranon vështirësitë që do të kenë, por fokusohet te kampionati, pasi deri te ndeshja e Kupës ka mjaft kohë. “Një kundërshtar mjaft i vështirë, por më përpara kemi kampionatin, luajmë me Kukësin dhe sërish Skënderbeun, ndaj fillimisht të mendojmë dy ndeshjet e kampionatit dhe pastaj për Kupën. Këtë të fundit duam ta sjellim në Vlorë, por duam që edhe në kampionat të bëjmë më të mirën dhe mundësitë i kemi. Skuadra i ka lojtarët në gjirin e vet, grupin e bashkuar dhe të gjithë jemi të vetëdijshëm se duam të rikthehemi aty ku ishim. Natyrisht që tashmë çdo gjë bëhet gjithmonë edhe më e vështirë, pasi jemi në një moment kyç dhe të gjitha skuadrat kërkojnë të realizojnë objektivat e tyre. Kam besimin maksimal tek kjo skuadër. Tani të mendojmë për Kukësin dhe t’i marrim ndeshjet sipas radhës. Dëshirojmë të bëjmë një fund sezoni mjaft cilësor, kjo për klubin, tifozët dhe qytetin. Ky Flamurtar e meriton të jetë në Europë”, thotë Nurkoviç.