Abazaj e Gavazaj, në verë “fluturojnë”

Sulmuesi ka firmosur për Skënderbeun, por që tani ka shumë klube të interesuar dhe zor se do të qëndrojë në Shqipëri. Gavazaj, gati për rikthimin në Belgjikë

Kristal Abazaj dhe Enis Gavazaj: dy risi në kombëtare, dy lojtarë që kanë treg dhe në verë pritet të largohen. Rrugë krejt të ndryshme për dy talentet e kombëtares shqiptare, por që janë bërë bashkë nga Kristian Panuçi, i cili i ka veshur kuqezi në ekipin A. Konsiderohen si e ardhmja e Shqipërisë dhe pak a shumë në verë do të vijojnë në të njëjtën rrugë, sepse pritet që të largohen nga Shqipëria shumë shpejt, ndoshta pa ardhur qershori.

ABAZAJ – 21 vjeç, 8 gola në 26 ndeshje në Superiore këtë sezon, sulmues krahu me teknikë dhe shpejtësi të jashtëzakonshme, lojtar perfekt për shumë klube nëpër Europë, sepse tiparet e tij si futbollist, kombinuar me moshën e re dhe eksperiencën e madhe në kampionat e kombëtaren U-21, bëjnë që Abazaj tashmë të jetë gati për hapin e karrierës. Në fakt, që vitin e shkuar ka mbyllur gjithçka me Skënderbeun, që për ta prenotuar i pagoi një shifër të jashtëzakonshme Luftëtarit, por marrëveshja është që Abazaj largohet në rast oferte serioze dhe Skënderbeu natyrisht nuk do ishte kundër, nëse do të arkëtonte miliona nga një lojtar që nuk e ka pasur fare në dispozicion. Nëse e bleu më pak se 200.000 euro dhe e shet 500.000 e lart, është e qartë që është një biznes spektakolar. Oferta konkrete nuk ka ende, por interesim ka nga disa kampionate, duke nisur nga kampionati belg.

GAVAZAJ – Është 23 vjeç, ka pasur një karrierë krejt ndryshe nga Abazaj, por edhe fati i keq nuk i është ndarë. Gavazaj në vitin 2013 debutonte me Gentin në kampionatin belg, por dëmtimet ia ndalën karrierën dhe në vitin 2016 Skënderbeu përfitoi, duke e marrë falas, sepse Genti nuk kishte kohë dhe durim për të pritur djaloshin e talentuar, por edhe të brishtë. Durim kishte Skënderbeu, shumë, sepse sezonin e shkuar Gavazaj luajti shumë ndeshje si rezervë dhe në Korçë i dhanë kohën për të gjetur formën perfekte. E ka arritur këtë sezon, sepse që në verë Gavazaj ka pasur një rendiment konstant dhe ka bindur të gjithë se është gati të tentojë sërish një aventurë jashtë Shqipërie. Në Belgjikë e njohin mirë, mosha e tij është ende shumë e re dhe tashmë mesfushori është goxha më i pjekur, për të provuar sërish veten jashtë. Kundër Norvegjisë si ai, ashtu edhe Abazaj, me shumë gjasa do të kenë minuta në dispozicion, ndërsa në tribunë do të jenë shumë vëzhgues e menaxherë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *