Trajneri i Argjentinës, Horge Sampaoli ka qenë shumë i prerë dhe i drejtpërdrejtë në konferencën për shtyp para takimit kundër Italisë sonte në mbrëmje në “Etihad” të Mançesterit. Ai nuk i ka kursyer elozhet për kapitenin Leo Mesi, duke e cilësuar këtë skuadër më shumë të Mesit se sa të vetën. Por nuk ka harruar as dy lojtarë të mbetur jashtë për miqësoret e marsit, Paulo Dibala dhe Mauro Ikardi. Sampaoli ka qenë i qartë, duke lënë të kuptohet se për sulmuesin e Juventusit dhe atë të Interit rruga drejt Botërorit rus do të jetë shumë e vështirë dhe me shumë gjasa ata do ta ndjekin Argjentinën nga TV! Fjalë të forta nga Sampaoli parë formën e dyshes Ikardi-Dibala në Serinë A.
Dibala e Ikardi – “Ikardi ishte një lojtar që e kam zgjedhur vetë, por diçka nuk ka funksionuar si duhet me të. Por nuk e përjashtoj mundësinë se ai do të jetë me ekipin në Rusi. Mauro duhet të na jepte sinjale të qarta për qasjen e tij ndaj grupit dhe besoj se e ka bërë mirë punën e tij. Ne vazhdojmë ta ndjekim me vëmendje dhe nuk e përjashtojmë grumbullimin e tij. Dibala? Kur e morëm kombëtaren, mendonim se ishte një “top player”, një lojtar i nivelit shumë të lartë, por po has vështirësi për t’u përshtatur me sistemin tonë të lojës. Nuk e di nëse është mënyra e tij pak anarkike e të luajturit. Për pasojë, ose ne nuk ia kemi transmetuar si duhet mesazhin tonë, ose ai nuk e ka kuptuar çfarë duam prej tij”- ka thënë Sampaoli.
Argjentina e Mesit – Kritikat ndaj Ikardit dhe në veçanti ndaj Dibalës nuk kanë qenë të vetmet fjalë të forta të trajnerit të Argjentinës para miqësores përballë Italisë. Ai ka lëshuar një tjetër deklaratë të fortë në lidhje me kapitenin Leo Mesi. “Leo po kalon një moment të rëndësishëm në karrierën e tij, po përjeton një moment të rëndësishëm pjekurie dhe kjo na ndihmon dhe ne. Prania e lojtarit më të mirë në botë i jep siguri dhe pjesës tjetër të ekipit. Leo është një lider dhe më shumë se e imja, kjo është Argjentina e Mesit. Nuk mund ta fsheh se Argjentina është mes kandidatëve për titullin. Të gjithë na respektojnë, rivalët na frikësohen, kjo është historia e Argjentinës”- ka vijuar Sampaoli.
Italia – Trajneri i Argjentinës ka folur dhe për ndeshjen kundër Italisë sonte në mbrëmje. “Italia nuk do të jetë në Botëror, por kjo nuk do të thotë se ajo e ka humbur statusin e një prej kombëtareve më të rëndësishme në planet. Nuk mendoj se futbolli italian është në krizë. Kjo miqësore mund të jetë fare mirë një gjysmëfinale apo një finale e Botërorit. Italia mendoj se ka paguar praninë në një grup shumë të fortë dhe një formulë kualifikuese tepër të vështirë në Evropë. Besoj se miqësorja kundër Italisë do të jetë një mundësi mjaft e mirë për të parë se ku jemi me përgatitjet për në Botëror. Pas miqësoreve të marsit do të kem një ide më të qartë në lidhje me ekipin që do të na përfaqësojë në Rusi. Përtej rezultateve, dua që këto miqësore të largoj disa pikëpyetje që kam në kokë për lojtarë të caktuar”- ka mbyllur Sampaoli.