Mesfushori brazilian, pjesë e Skënderbeut në sezonin 2015/16, flet për një nga ndeshjet për të cilat Skënderbeu akuzohet se e ka manipuluar
E mbani mend Fransisko Lisvaldo Daniel Duarten? Me siguri që pakkush e mban mend këtë emër, por të shumtë në Shqipëri e sidomos Korçë e njohin me nofkën e tij tipike braziliane, Eskerdinja. Braziliani tashmë 27-vjeçar ka luajtur në sezonin 2015/16 te Skënderbeu, 49 ndeshje atë sezon, me 4 gola në total. Erdhi në verën e vitit 2015 në Korçë, u bë titullar fiks në Europë, duke luajtur 11 ndeshje mes Champions League dhe Europa League, ndërsa në kampionat gjysmat e ndeshjeve i nisi nga stoli dhe në fund të sezonit u largua, duke kaluar tek Maritimo në kampionatin portugez. Nuk i eci aty, luajti pak, ndaj shkoi në Brazil te Madureira dhe këtë vit luan te Souza. Në Portugali nuk e kanë harruar, edhe për faktin se vazhdon të flitet për Skënderbeun dhe gjyqin me UEFA-n, që kërkon ta dënojë me 10 vite përjashtim nga kupat e Europës. Pse portugezët janë kaq të interesuar? Sepse në listën e ndeshjeve të dyshuara është edhe e famshmja Sporting-Skënderbeu 5-1, luajtur më 20 tetor 2015.
ESKERDINJA – E përditshmja portugeze “Record” i ka dhënë hapësirë ndeshjes së dyshuar, duke folur edhe me Eskerdinjën. Mesfushori ishte në fushë në atë takim dhe në Portugali e njohin si futbollist të Maritimos më pas, ndaj kontakti me të nuk ka qenë i vështirë për gazetarët portugezë. Në intervistën e tij mesfushori brazilian ka mohuar gjithçka, duke këmbëngulur se Skënderbeu nuk ka pasur gisht në ndonjë trukim. “Sportingu është një rival shumë i fortë për Skënderbeun dhe luante në shtëpi, ku është çudia që fitoi aq thellë? Nuk duhet të harrojmë që ne luajtëm me 10 lojtarë për shumë e shumë minuta, imagjinojeni sa e vështirë ishte, kur edhe me 11 lojtarë na priste humbja logjikisht. Mbaj mend që për atë sfidë kishim premio shumë të madhe në rast se merrnim rezultat pozitiv dhe nëse fitonim kishim një bonus të jashtëzakonshëm, motivimi ishte maksima. Nuk shoh asnjë arsye për trukim”, është shprehur Eskerdinja, i cili më pas flet edhe për sfidën e kthimit, fituar 3-0 nga Skënderbeu në Elbasan. “Trajneri portugez deklaroi se do të bënte shumë ndryshime për atë takim, sepse nuk kishin më nevojë për pikë. Ne, nga ana tjetër, kishim motivim të madh, sepse çdo fitore në Europë vlente shumë për klubin në aspektin financiar dhe përfituam, duke gjetur përballë një rival pa shumë titullarë”.