Milosh Kërkotiç ka tërhequr dokumentacionin nga Kukësi dhe ka nisur zyrtarisht një aventurë të re në Indonezi. Mesfushori malazez, pasi u largua nga Kukësi, duke u konsideruar si i padëshiruar nga drejtuesit, i kishte djegur të gjitha “dritaret e transferimit”. Ai kishte luajtur me Mladost Podgoricën në Kupat e Europës, dhe e kishte të pamundur që të luante në një kampionat tjetër europian. 30-vjeçari u afrua te Kukësi, ditët e fundit të merkatos së verës, por me vetëm 14 ndeshje të luajtura, nuk u konsiderua i nevojshëm për pjesën e mbetur të sezonit. Pati dhe polemika nga ana e menaxherit të lojtarit, i cili deklaroi se kjo sjellje ishte papranueshme, duke lëshuar akuza të forta ndaj klubit, për largim me dashje të lojtarit. Ndërkohë, drejtuesit e Kukësit deklaruan se lojtari nuk është kthyer dhe se ata, e presin, pasi ishte në planet e tyre. Vetë futbollisti kishte pretendime se i kishin thënë, që ishte i panevojshëm për Kukësin.
Mes polemikave të shumta, tani duket gjithçka është zgjidhur, edhe pse nuk dihet se si është vepruar me 2 rrogat e pretenduara nga ana e malazezit. 30-vjeçari ka nisur një aventurë të re te skuadra e Bali Junajtid. Bëhet fjalë për një nga skuadrat më të forta të Indonezisë. Edicionin e shkuar ajo u rendit në vendin e dytë me pikë të barabarta me vendin e parë, por e humbi kampionatin, pasi ishte mundur në ndeshjet direkte me ekipin që më pas u shpall kampion. Ish-mesfushori i Kukësit ka nënshkruar për një sezon me skuadrën e Balit dhe do të përfitojë një shumë prej 100 mijë eurosh, pa llogaritur bonuset që mund të përfitojë gjatë kampionatit. Duket se largimi nga Kukësi dhe pamundësia për të firmosur me një ekip europian ka bërë që malazezi të gjejë një kontratë të kënaqshme në Azi, por dhe të mos digjet për 3 muajt e ardhshëm dhe të jetë në aktivitet, madje edhe ndërkombëtar.