Xhelal Mziu parashikon tolerimin e Laçit në Durrës!

Deklaratë e fortë, që njollos keqas Superioren, ajo e kryebashkiakut të Kamzës Xhelal Mziu, i cili sot ishte i ftuar në emisionin “Fair Play” në News24.

Pas ndeshjes së sotme, humbur në Laç edhe falë disa gafave skandaloze të arbitrit, Mziu akuzon: “Nuk ishte faull ai që gjyqtari akordoi për Laçin dhe më pas çoi te kartoni  i kuq për Frashërin. Po ku e dimë ne nëse Frashëri e ka ofenduar gjyqtarin? Pse të mos themi edhe që gjyqtari mund ta ketë provokuar lojtarin e Kamzës? Edhe vetë tifozët e Laçit u habitën kur Frashëri u ndëshkua me karton të kuq, sepse ishte pa sens”.

Pastaj bomba: “Po bëhen padrejtësi ndaj Kamzës. Di të them diçka: ndeshja mes Teutës dhe Laçit kur të rinisë kampionati do të fitohet nga durrsakët dhe këtë e them me siguri të plotë”.

Erdhi edhe reagimi i trajnerit të Laçit, Gentian Mezani, i cili gjithashtu ishte i ftuar në studio: “Ne do të shkojmë të luajmë futboll, të fitojë më i miri. Nuk kemi ndërmend të tolerojmë, ne luajmë për vendet e kreut dhe do të kërkojmë rezultat, edhe pse në Durrës të gjithë e kanë të vështirë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *