Dramë në Kavajë, Besa nuk ia del me Burrelin

Ligji i pashkruar i futbollit, që kur nuk shënon e pëson, i ndodhi dje Besës. Kavajasit kanë lënë dy pikë në shtëpi dhe nga barazimi 2-2 që mori, një pikë e fituar duket si një humbje. Burreli, që kishte fituar më 3 shkurt 2018 në Kavajë, sërish është shfaqur një skuadër e organizuar, madje me një stil tipik transfertë, duke u mbrojtur me shumë forca e kundërsulmuar rrezikshëm, kanë arritur të kalojnë dy herë në avantazh, gjë që shokoi Besën. Gjithsesi në fund verdhezinjtë barazuan dhe e shmangën humbjen.

NDESHJA

Besa e nisi takimin mirë, duke humbur dy raste ideale. Fillimisht gaboi Onuh dhe më pas një minutë më pas, në të pestën, ishin Pasha e Thaçi që gabuan shumë afër portës mike. Mëllugja paralajmëroi vendasit me gjuajtjen e tij nga distanca. Në minutën e 11-të, pas pretendimit për një 11-metërsh, Levendi e vijoi aksionin dhe shënoi për Besën, duke i befasuar të gjithë. Kavajasit reaguan me Dikson e Mihanin, por barazimi do të fiksohej nga Oshafi në minutën e 25-të. Ndonëse në një pozicion të vështirë diagonal me portën, beratasi shkarkoi të majtën, duke e çuar topin në rrjetë. Ekuilibri i shpejtë i shifrave krijoi përshtypjen se goli i avantazhit do të vinte shpejt. Ndodhi e kundërta. Shënuan përsëri miqtë, këtë radhë duke shfrytëzuar një kthim topi prapa nga Dikson dhe daljen e gabuar të portierit Puja. Ibrahimllari nga mbi 40 metra e dërgoi topin drejt e në portën e boshatisur të Besës. Rezultati shkoi në 1-2 dhe ekipit iu drejtuan dhomave të zhveshjes. Pushimi e kishte “shkundur” Besën, që më pas e rriti presionin në portën mike. Zëvendësimet e gjallëruan jo pak lojën. Burreli rriti numrin e mbrojtësve dhe manovra sulmuese e ekipit vendas nuk ishte e lehtë. Mihani në minutën e 58-të u pengua në zonë dhe për arbitrin ishte penallti. Mesfushori mori vrull dhe topi u përplas në shtyllën pingule. Ka gabuar kështu edhe kapiteni kavajas, sikurse ndodhi një javë kur Pasha nuk i shënoi dot Tërbunit.

Besa kërkonte me çdo kusht të shënonte golin e fitores, kurse Burreli ndërmori disa zbritje të rrezikshme dhe pati 2-3 raste ideale me Beçkën, Ajazin e Fejzon. Pasi i fundit ishte problem për kavajasit, ndërkohë që disa nga lojtarët e tepronin me veprimet e tyre individuale, që ngadalësonin dhe i bënin të lexueshme sulmet verdhezi. Gjithsesi në fund erdhi goli i barazimit me Bakallin dhe me rezultatin 2-2 ekipet ndanë nga një pikë. Meritë për barazimin në Kavajë ka edhe portieri i Burrelit Selaci, i cili ka veshur edhe më parë fanellën e Besës. Ka qenë në lartësinë e duhur gjykimi i memaliotit Elidon Halo, duke shuar dyshimet e miqve nga Burreli se ky gjyqtar do të favorizonte vendasit. Barazimi tregoi të kundërtën. Për Besën ky barazim shikohet si zhgënjyes, pasi në shtëpi duhet të fitojnë domosdo. Besa ka lënë dy pikë që mund ti “qajë” më vonë, ndërsa për Burrelin pika e fituar ngre lart moralin e përmirësuar ndjeshëm të kësaj skuadre këtë vit. 

DEKLARATAT PAS NDESHJES

Kodra: Mungesa e Mirakës na penalizoi

Edmond Kodra, zëvendëstrajneri i Besës, për gazetën pas ndeshjes me matjanët deklaroi: “Do të doja që fitoren t’ia dedikonim profesor Hasan Gërmanit, pasi ka qenë një trajner i cili na mësoi futbollin. Na kushtoi shumë mungesa e portierit Miraka, pasi u pa qartë si i pësuam golat. Skuadra reagoi, edhe pse u gjend dy herë në dizavantazh. Pësuam golin e parë për gabim individual, por arritëm shpejt barazimin, duke e dominuar lojën. Kur prisnim golin e dytë u ndëshkuam përsëri nga një mosmarrëveshje mes mbrojtësit e portierit. Pavarësisht kësaj ekipi luftoi dhe humbëm edhe 11-metërsh. Humbëm dy pikë, por ky është futbolli.

Ahmataj: Më kënaq loja dhe rezultati

Julian Ahmataj i gëzohet pikës së marrë në Kavajë dhe këtë e shprehu hapur pas ndeshjes: “Jam i kënaqur nga loja dhe rezultati. E kishim përgatitur mirë ndeshjen dhe shënuam të parët. Pas barazimit arritëm të kalojmë në avantazh falë sakrificës dhe lojës së mirë të grupit. Në fund Besa na barazoi, por ne mund edhe ta fitonim këtë takim. Më vjen keq për gjendjen në të cilën ndodhet Besa, pasi të gjithë presin të jetë në Superiore dhe jo të diskutojë mbijetesën”.

BESA – BURRELI    2-2

Shënues: Oshafi 25’, Bakalli 86’ / Levendi 11’, Ibrahimllari 45’

Besa: Puja, Ramilli, Perja, Biba (Bakalli 70’), Dikson (Kullolli 46’), Deliallisi, Thaçi, Oshafi (Duka 50’), Onuh, Mihani, Pasha. (Në dispozicion: Dobjani, Bushati, Cara). Trajner: B.Sinella

Burreli: Selaci, Ujka, Ibrahimllari, Simonov, Danaj, Stana, Mëllugja, Peci (Fejzaj 61’), Becka, Ajazi (Përgjoni 80’), Levendi (Osmanllari 46’). (Në dispozicion: Hila, Muçaj, Bërdufi). Tr. J.Ahmataj.

Gjyqtarë: E.Halo (Memaliaj), P.Puto (Gjirokastër), N.Rrapaj (Patos).

KARTONË TË VERDHË: Ramilli 19’ / Peçi 35’, Ajazi 80’, Mëllugja 89’

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *