Kastrioti marshon, tashmë Superiorja formalitet

Krutanët kanë zhvlerësuar golin e realizuar nga Fabio Hasa. Kabiru dhe Marku i kanë dhënë tre pikët ekipit të drejtuar nga Samuel Nikaj

Pas barazimit në Lezhë me Besëlidhjen Kastrioti është rikthyer te fitorja, pasi dje në stadiumin e qytetit të Krujës kanë thyer Dinamon me rezultatin 2-1. Ndonëse e nisën lojën në disavantazh, me Hasën që surprizoi krutanët, skuadra e drejtuar nga Samuel Nikaj reagoi dhe me golat e shënuar nga Kabiru e Taulant Marku përmbysi rezultatin dhe mori pikët e plota, që e afrojnë edhe më shumë me Superioren, që është edhe objektivi i vetëm i Kastriotit. Dinamo, që javën e shkuar ishte pushim, e nis kështu me humbje fazën e tretë.

NDESHJA

Fillimi i lojës është disi i qetë dhe skuadrat kërkojnë të studiojnë njëra-tjetrën. Krutanët, nisur edhe nga objektivat që kanë dhe prej faktit që luanin në shtëpi, ishin më kërkues. Qendërmbrojtësi Hoxha dhe sinjalin e parë me një gjuajtje mbi tra, ndërkohë që miqtë “heshtin” stadiumin Kastrioti. Kur kishin kaluar 10 minuta lojë, pas një kundër sulmi Dinamo arriti të gjejë rrugën e rrjetës me Fabio Hasën. Kastrioti nuk mund ta pranojë diçka të tillë dhe hidhet në sulm. Kabiru dhe Marku shpërdorojnë disa raste, por goli nuk do të vononte dhe sulmuesi nigerian shfrytëzon një krosim të Lilajt dhe mposht portierin Saraçi. Baraspeshë në Krujë, 1-1. Mziu gjithashtu iu afrua shumë golit me një goditje potente, pot portieri mik reagoi shkëlqyeshëm dhe shpëtoi Dinamon nga goli. Lilaj ishte protagonisti i këtij takimi, pasi nga këmbët e tij erdhi edhe goli i avantazhin. Mesfushori shërbeu mjaft bukur për Markun dhe sulmuesi pukjan bëri që tifozët e pranishëm të shpërthenin në festë. Dominim total i Kastriotit, që pjesën e parë e mbylli me shifrat 2-1. Ndeshja vijon të ketë ritëm edhe në pjesën e dytë, teksa të dyja skuadrat përpiqen të gjejnë rrugën e rrjetës. Vendasit janë më lart dhe madje deri në fund të takimit u numëruan plot 14 goditje këndi në favor të tyre, kundrejt një të miqve. Skuadrat kanë mundësi shënimi, por pa sukses deri në fund. Rezultati mbeti i pandryshuar dhe me shifrat 2-1 Kastrioti mori pikët e plota. Kjo bën që diferenca me Egnatian e vendit të dytë të shkojë në tetë pikë, që u jep qetësinë e duhur krutanëve për vazhdimësinë.

Kastrioti – Dinamo    2-1

Shënues: Kabiru 16’, Marku 24’ / Hasa 10’

Kastrioti: Kuka, Caca (Husein 50’), Lila (Neziri 87’), Çela, Hoxha, Lilaj, Mziu, Çutra, Mulaj, Marku, Kabiru (Vatnikaj 85’). (Në dispozicion: Spahija, Xhaferri, Samson, Keqi). Trajner: S.Nikaj

Dinamo: Saraçi, Shaba, Doksani, Koçi (Allmuça 46’), M.Nuriu, Tragaj, R.Nuriu, Myslimi (Muça 51’), Hasa, Çema, Morina (Lika 69’). (Në dispozicion: Hoxha, Bogdani, Elmazi, Gjata). Trajner: I.Allmuça

Gjyqtarë: I.Myrtja, M.Dervishi, F.Thorja, A.Pirani

Kartonë të verdhë: Çela 47’ / R.Nuriu 20’, B.Tragaj 28’, Çema 91’

 

DEKLARATAT PAS NDESHJES

Nikaj: Reaguam shpejt, jam i kënaqur

Shkodrani i pankinës së Kastriotit, Samuel Nikaj, pas fitores me Dinamon tha: “E kam thënë që Dinamo ka një ekip të mirë dhe mund të të hapë probleme. Po të mos kishim reaguar shpejt mund të na kishte surprizuar. Megjithatë jam shumë i kënaqur nga paraqitja e sotme e skuadrës, që ka qenë mbresëlënëse. Këto tri pikë janë të rëndësishme dhe synojmë që edhe në takimin e radhës të vazhdojmë serinë e fitoreve, edhe pse kemi një kundërshtar të fortë si Erzeni”.

Igli Allmuça: E meritonim një pikë

Trajneri i Dinamos, Igli Allmuça, pas humbjes me Kastriotin reklamoi si të parregullt golin e krutanëve: “Kishim mundësi të dilnim të paktën me një pikë, por nuk ia arritëm. Kishim shumë mungesa dhe po luanim në transfertë ndaj Kastriotit, që ka arritur me meritë deri këtu. Sa i takon golave, kam përshtypjen se goli i parë nuk ishte i rregullt. Pati një prekje të topit me dorë, megjithatë nuk dua ta komentoj më tepër. Synojmë që në vazhdim të marrim rezultate pozitive dhe të kapim ndonjë shkallë më lart në klasifikim”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *