Mbrojtësi i majtë ka arritur marrëveshjen me Tiranën dhe pritët të zyrtarizohet gjithçka. “Polemikat? Shpresoj që në dy ndeshjet e ardhshme arbitrimi të jetë i rregullt”
Olsi Avdiaj
Erion Hoxhallari dhe Tirana i kanë rrugët të lidhura së bashku. Mbrojtësi i majtë ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes dhe ka mbetur vetëm firma mbi kontratë. Hoxhallari dje ka folur edhe për situatën në klub para medieve, ndërkohë shpreson që gjykimi në dy ndeshjet direkte me Bylisin të jetë në nivelin e duhur, pasi në takimin e fundit la për të dëshiruar. Sfida me Tomorin ishte gjithashtu në fokus dhe objektivi është ai i njëjti: tre pikët.
Të gjithë ndeshjet janë finale, por si vjen skuadra pas asaj fitoreje me Pogradecin dhe si e keni përgatitur takimin me Tomorin?
-Siç e thatë edhe ju, tani për ne çdo ndeshje është finale. Pas asaj fitoreje në Pogradec besoj se skuadra është pak më e qetë, sepse ishim në një ngërç që e kaluam në këtë të fazë. Si çdo skuadër tjetër që ka ngërç e kaluam edhe ne. Jemi shumë të qetë dhe kërkojmë fitore në çdo ndeshje.
Janë edhe shtatë ndeshje për t’u luajtur. Mendon se do të vendoset gjithçka në finalen me Bylisin apo pret ndonjë gabim të kundërshtarit gjatë rrugës?
-Ndeshjet direkte do jenë vendimtare për t’u ngjitur në Superiore. Edhe nëse gabon Bylisi mirë do jetë për ne, do të jetë më e lehtë.
Ndeshjet me Tomorin kanë qenë të ndjera, sidomos nga kundërshtari. Çfarë prisni nga ky takim?
-Ne jemi shumë të qetë, nuk ka pengon asgjë. Thjesht jemi të fokusuar te ndeshja, nuk mendojmë çfarë ka ndodhur, çfarë e pengon kundërshtarin dhe çfarë ka pasur në të kaluarën. Thjesht jemi të qetë për objektivat tona.
Jeni përfolur shumë për një largim të mundshëm. Çfarë ndodh me Hoxhallarin?
-Për momentin jam lojtar i Tiranës. Në merkato ka pasur shumë kërkesa, por nuk ka rënë dakord klubi. Shpresoj që në të ardhmen të bie dakord dhe unë të iki jashtë shtetit.
Po rinovimi i shumëpërfolur a është arritur?
-Kemi rënë dakord me klubin për rinovimin. Shpresoj që këto ditë ta mbyll edhe me firmë.
Një ndeshje pa tifozë. Kaq problematikë ishin Fanatiks në Pogradec?
-Nuk di çfarë të them për tifozët sepse ishte një gjë shumë e bukur, pasi ishte një stadium i mbushur vetëm nga Fanatics. Federata e ka pasur problem për dy flakadana të hedhur në fushë. Se di, është mendimi i federatës.
Pse vetëm dy pikë diferencë me Bylisin, a ka një shkak?
-Në atë që kemi pasur për objektiv ta ngjisim Tiranën e kemi arritur në çdo ndeshje, por edhe Bylisi ka pasur vazhdimësi të mirë. Ndoshta ngaqë grupi ynë është i fortë. Kastrioti e ka pasur më të lehtë nga ne.
Ka pasur polemika…
E keni parë edhe vetë që me Bylisin na është dhënë një penallti në Ballsh që nuk ekzistonte fare kontakti. Shpresoj që në dy ndeshjet e ardhshme arbitrimi të jetë i rregullt. Po të shohësh tabelën, vetëm Bylisi na ka ndjekur vazhdimisht.