Bakaj “faraon” në Bjellorusi, leja e punës vonon shlyerjen e Kukësit

Kukësi ende nuk është paguar për Elis Bakajn, por nuk bëhet fjalë për ndonjë problem mes dy klubeve dhe as probleme bankash. E vërteta është se te Shahtari presin që Bakaj të pajiset me lejen e punës, një procedurë paksa e ndërlikuar, në një vend shumë ndryshe nga Shqipëria, pasi Bjellorusia është sistem thuajse komunist, duke ruajtur shumë tipare të regjimit të shkuar. Drejtuesit e Shahtarit konfirmojnë se gjithçka është në rregull dhe pagesa do të kryhet sapo të lëshohet leja e punës për sulmuesin: “Pagesa do të kryhet deri në fund të muajit, është e detyruar kjo gjë, sepse kampionati ynë nis në fund të muajit dhe nëse nuk paguajmë, nuk marrim lejekalimin ndërkombëtar, që do të thotë se Bakaj nuk aktivizohet. Ne kemi paguar lojtarin, kemi paguar edhe komisionet për agjentin e tij, nuk jemi të çmendur që të shpenzojmë kaq shumë, të firmosim dhe pastaj të mos e kompletojmë transferimin, është logjike”.

SHIFRAT – Kur drejtuesit e Shahtarit përmendin shpenzimin e madh për Bakajn, kanë të drejtë. Ish-ylli i Superiores do të marrë një pagë stratosferike në Soligorsk: 65 mijë dollarë është paguar në momentin e firmës, 10 mijë dollarë do t’i marrë në formë page mujore deri në fund të vitit. Nuk mbaron me kaq, sepse për fitore e barazime premio është 1000 dhe 750 dollarë. Me llogari të thjeshtë, Bakaj do të fitojë thuajse 200 mijë dollarë në vitin 2018 në Bjellorusi. Për një shqiptar, është një shifër e pabesueshme, saqë me të drejtë Bakaj mund të konsiderohet “faraon”!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *