Kush është Bujar Lika, emri surprizë i Panuçit?

Me siguri të gjithë kanë hapur sytë kur kanë parë sot listën e Kristian Panuçit për miqësoren kundër Norvegjisë, në program pas pak ditësh në Elbasan.

Befasia nuk quhet Kristal Abazaj, pasi ka qenë në “tavë” prej kohësh, ndërkohë që edhe Herdi Prenga nuk është një emër i panjohur në ambientin kuqezi, sepse ka luajtur shumë mirë me Shpresat.

Surpriza është Bujar Lika, mesfushor i aftë të luajë edhe si mbrojtës i djathtë, që do të thotë se është një lojtar polivalent, që i ofron shumë opsione Panuçit.

Lika është 25 vjeç, me origjinë nga Kosova, por me pasaportë zvicerane. Është rritur te Lucerna, ndaj trajneri aktual i Grasshopersit, Murat Jakin, e njeh mirë, duke qenë se ka punuar te Lucerna në sezonin 2011/2012.

Prej vitit 2013 Lika ka luajtur te Voleni në divizionin e dytë zviceran dhe sezonin e shkuar u bë titullar fiks, ndërsa këtë sezon e nisi te Shafhauzeni, sërish titullar. Paraqitjet e tij nuk kaluan pa rënë në sy dhe pikërisht Jakin e kërkoi në janar, me Grasshopers që firmosi një kontratë 1,5-vjeçare me anësorin e djathtë, i cili ka luajtur 5 ndeshje këtë vit në Superligën zvicerane, duke dhënë edhe një asist në humbjen 2-1 ndaj Lucernës.

Te Grasshopers luhet me sistemin 3-1-4-2 ose 4-4-2, me Likën që luan si mesfushor i djathtë në mesfushën me 4 lojtarë, ndaj duket se ashtu do të përdoret edhe te Shqipëria, ku në të djathtë Odise Roshi është lojtar me tipare të theksuara sulmuese, ndërsa Lika do të ishte një ndihmë më e madhe për Elseid Hysajn.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *